Ekonomi

BDI llogaridhënie në Shkup, Ademi: 2 mld euro investime në rreth 900 projekte; Mexhiti: Shkupi i fortë, ndihmon gjithë shqiptarët

19.02.2016 13:01

BDI ka dhënë llogari para qytetarëve të Shkupit për projektet e realizuara dhe ato që pritet të realizohen...

Universiteti “Nënë Tereza”, Isa Boletini e shqiponja e UÇK-së, që i janë bashkangjitur skulpturave të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeut e Hasan Prishtinës janë vlerat kombëtare me të cilat mburret çdo shqiptar, u tha në këtë takim.
 
Funksionarët e BDI-së prezantuan afro 900 projektet e realizuara në të gjitha komunat shqiptare, që kapin vlerën e rreth 2 miliardë eurove. 
 
"Me formimin e koalicionit në vitin 2014, programi zgjedhor i BDI-së u bë pjesë përbërëse e programit për punën e qeverisë. Kështu që, menjëherë ne filluam me realizimin e projekteve të reja dhe vazhdimin e projekteve të filluara më herët. Në këtë periudhë, prej qershorit të vitit 2014 e deri më shkurt 2016, kanë filluar ose janë realizuar gjithsej 864 projekte të parapara në programin zgjedhor të BDI-së, me vlerë prej rreth 2 miliardë euro”- deklaroi sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Abdylaqim Ademi.
 
“Jo rastësisht kryetari ynë është përqendruar në Shkup. Aq sa më i fuqishëm të jetë Shkupi, aq më shumë Shkupi do jetë në gjendje të ndihmojë rrethinën, si Kumanovën, Velesin, të gjithë shqiptarët aty ku kanë nevojë më së shumti”- tha kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti.
 
Para banorëve të komunave të Shkupit, BDI dha një pasqyrë të hollësishme të projekteve të realizuara, apo që janë në fazë realizimit, duke përmendur projektet infrastrukturore që përfshijnë rrugë, kanalizime, stacione filtrimi, renovime shkollash e ndërtime, salla sporti, renovimi i fasadave në Çarshinë e Vjetër dhe vazhdimi i punimeve në sheshin Skënderbe, projekti për gazifikimin e Shkupit, rekonstruimin e Teatrit Kombëtar Shqiptar, ndërtimin dhe rekonstruimin e spitaleve dhe klinikave, transformimin e vendeve të punës nga të vendime të përkohshme në të vendime të përhershme, subvencione për bujqit dhe blegtorët, si dhe mbështetjen e aktiviteteve të shumta kulturore.
 
GAZMEND KURTISHI