Maqedoni
Maqedonia dhe Kosova, memorandum bashkëpunimi ndërkufitar
19.02.2016 15:49
Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, në emër të Qeverisë së Kosovës...

Ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani, dhe ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysa, në emër të Qeverisë së Kosovës nënshkruan memorandum-bashkëpunimi ndërkufitar mes Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës.
Ministri Shabani theksoi se me nënshkrimin e memorandumit janë krijuar kushtet për të filluar implementimin e programit IPA për bashkëpunimin ndërkufitar mes Maqedonisë dhe Kosovës, që parasheh financimin e projekteve deri në vitin 2020 në rajonet kufitare Kosovë-Maqedoni.
“Kjo do të thotë mundësi që deri në vitin 2020 të financohen numër i madh projektesh të reja në rajonet kufitare mes dy vendeve. BE në kuadër të IPA programit për bashkëpunim ndërkufitar për këtë program të ri 2014-2020 ka siguruar fond prej 8.4 milion euro, kurse si kofinancim nga ana e ministrive janë siguruar 1.3 milion euro, që në tërësi përbën një vlerë prej 10 milion euro”- deklaroi ministri i Pushtetit Lokal, Lirim Shabani.
Ambasadori Hysa kumtoi se nga memorandumi përfitim do të kenë qytetarët e të dyja anëve të kufirit, ndërsa theksoi se Kosova ka më shumë marrëveshje bilaterale me Maqedoninë.
“Përmes këtyre ndihmave të programit të IPA 2 krijojmë edhe një kohezion më të mirë të bashkëpunimit, buxheti prej 8.4 milionëve gjithsesi do të jetë konsolidues për përpjekjet tona për të vazhduar programin e IPA 2, siç e përmendi ministri. Programi IPA 1 ka qenë i suksesshëm. Në këtë mënyrë, marrë parasysh edhe nënshkrimin e dy marrëveshjeve që u bënë për kalimin e kufijve me letërnjoftime dhe hapjen e pikës së re kufitare, edhe një here po konstatojmë se Kosova ka më shumë marrëveshje me Maqedoninë”- tha ambasadori i Kosovës në RM, Ylber Hysa.
Projektet do t’i përkasin prioriteteve tematike, siç janë rritja e konkurrencës, zhvillimi i biznesit, tregtisë dhe investimeve, nxitja e turizmit, si dhe mbrojtja e mjedisit jetësor.
ERSAN PAJAZITI
