Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme, Ahmeti: të gjithë t’i kuptojnë njësoj obligimet; zgjedhjet i japin fund agonisë
19.02.2016 15:51
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, këmbëngul se kriza e imponuar politike zgjidhet vetëm përmes respektimit të marrëveshjeve të arritura...

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, këmbëngul se kriza e imponuar politike zgjidhet vetëm përmes respektimit të marrëveshjeve të arritura, aq më tepër kur marrëveshjet për zgjidhjen e krizës në Maqedoni janë bërë me ndërmjetësim të komunitetit ndërkombëtar.
Pikërisht sipas Ahmetit, data e mbajtjes së zgjedhjeve jo vetëm që u arrit me dakordimin e të gjitha palëve nënshkruese, por u përshëndet edhe nga të gjitha forcat progresive në vend e jashtë tij.
Prandaj për të është e pakuptimtë që tani njëra palë, në mënyrë të njëanshme, kërkon shtyrjen e datës së zgjedhjeve.
“Gjithçka që është përfshirë në marrëveshje e kemi pranuar e respektuar me fanatizëm. Por, të gjitha palët nuk i kuptojnë njësoj obligimet që dalin nga marrëveshja e arritur me asistencë dhe përfaqësim të lartë ndërkombëtar. Asgjë nuk është vendosur pa dakordim të të gjitha palëve, përfshirë kthimin e opozitës në parlament, komisionet anketuese, ministra e zëvendësministra me kompetenca të dyfishta, dorëheqjen e kryeministrit, përfshirë edhe sanksionimet me ligj, që u votua nga shumica parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve më 24 prill 2016. Po ata palë duhet të ulen e të mendojnë se asnjëra nuk ka të drejtë njëanshëm të insistojë apo të sabotojë proceset dhe zhvillimet që po ndodhin në vend”- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Komuniteti ndërkombëtar, ashtu si ka vëzhguar për 15 vjet me çështjen se si zhvillohen dhe implementohen marrëveshjet në RM, edhe këtë marrëveshje do ta vëzhgojnë dhe analizojnë deri në momentin e zbatimit të plotë të saj, për këtë nuk ka asnjë dilemë, theksoi më pas lideri i BDI-së.
“Vendi duhet të dalë nga kriza. Çdo stërzgjatje e krizës është në dëm të qytetarëve tanë, në dëm të ekonomisë. Institucionet janë në agoni, nuk funksionon administrata, si mund t’ju jepet drejtim gjërave, sigurisht që zgjidhja më e mirë është mbajtja e zgjedhjeve. Me zgjedhje i jepet fund agonisë. Kush është më i miri, fiton”- tha Ahmeti.
Gjithsesi, Ahmeti thotë se BDI nuk është për zgjedhje pa plotësimin e standardeve, por për zgjedhje me pjesëmarrjen e të gjitha palëve. BDI nuk është për zgjedhje të kontestueshme pas përfundimit të tyre, sepse zgjedhje të tilla vetëm do vazhdonin krizën.
Ahmeti vlerëson se ekspertët në KShZ do të inkurajojnë anëtarët e tyre që të kryejnë obligimin ligjor, që të mbyllen sa më shpejt dilemat për besueshmërinë e procesit. Lideri i BDI-së thotë se për momentin data e zgjedhjeve mbetet e fiksuar në 24 prill.
MERITA GASHI
