Klinika e syve me shërbime të reja, filloi metoda e re “cross-linking”

19.02.2016 16:18

Klinika e syve në Shkup prezantoi metodën e re kirurgjikale për shërimin e sëmundjeve të kornesë së syrit e quajtur “cross-linking” dhe e njëjta do të aplikohet tani e tutje vetëm me participim nga pacientët...

Drejtori i klinikës theksoi se kjo metodë iu mundëson pacientëve që, krahas shpenzimeve materiale, të kursejnë edhe në kohë, pasi që shumica e intervenimeve të këtij lloji janë realizuar në institucione private ose jashtë vendit.

“Kjo është një nga metodat kirurgjike që ka të bëjë me intervenim në korne, gjegjësisht sëmundjet e tjera të kornesë, të cilat çojnë në dëmtim të sipërfaqes dhe që kjo çon në dëmtim të syrit. Kjo është një procedurë të cilën banorët e RM-së kanë mundur deri më tani ta realizojnë në institucione private, ku kanë paguar mes 600 deri 1200 euro për një intervenim”- deklaroi drejtori i Klinikës së syve, Iljaz Ismaili.

Deri tani është realizuar selektimi i pacientëve dhe numri i rrumbullakuar i tyre është 30 intervenime për brenda vitit me mundësinë që ky numër të rritet në bazë të kërkesave dhe nevojave, tha me këtë rast ministri i Shëndetësisë.

“Është bërë rekonstruimi i një hapësire me të cilën është hapur salla e re për operacione dhe furnizimi i saj me aparaturë të re. Investimi i përgjithshëm kap vlerën prej 10 milion denarëve”- theksoi ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov.

Metoda “cross linking” nuk e shëron kerotanusin, por e ngadalëson zhvillimin e sëmundjes.

Klinika e syve për kohë të shkurtër do të realizojë edhe intervenimet e keratoplastikës dhe glaukomës. (Leunora Kaliqi, TVM2)