Saraj, qeveria investon në kanalizimin fekal

19.02.2016 16:23

Ministria e Ekologjisë së bashku me Komunën e Sarajit filluan punimet për ndërtimin e kanalizimit fekal me gjatësi prej dy kilometrash në Saraj....

Investimi kap vlerën prej 7 milion denarë dhe i njëjti pritet të përfundojë për rreth një muaj.  

“Në vazhdën e investimeve që qeveria i bën, gjegjësisht Ministria e Ekologjisë, në mbrojtjen e ujërave e kemi edhe këtë projekt për Komunën e Sarajit, kanalizimin. Investim që ne si ministri e bëjmë permanent, kjo është faza ku ne kemi e bashkëfinancuar me komunën me rrjetin sekundar. Gjithashtu dua t’ju informoj se pas kësaj në buxhetin e ekologjisë për vitin e ardhshëm janë të planifikuara edhe mjete për ndërtimin e impianteve për trajtimin e ujërave të zeza”- tha ministri i Ekologjisë, Nurhan Izairi.

“Bëhet fjalë për një investim të përbashkët mes Ministrisë së Ambientit dhe Komunës së Sarajit dhe vlera e përbashkët e asaj kontrate është diku rreth 7 milion denarë, kjo është faza e parë. Ne jemi përcaktuar të fillojmë në vendbanimin Saraj, kuptohet që mjetet tjera, të cilat do të mbesin nga ky projekt i përbashkët i komunës dhe ministrisë, të shfrytëzohen për rrjete të tjera në Komunën e Sarajit”- u shpreh kryetari i Komunës së Sarajit, Bekim Murati.

Në Komunën e Sarajit gjithashtu vazhdojnë edhe punimet për rekonstruimin e sheshit, ndërsa prej muajit maj pritet të fillojë edhe rekonstruimi i rrugës kryesore dhe ndërtimi i objektit të Komunës së Sarajit. (Rexhep Qamili, TVM2)