Tusk: Në mars një plan veprimi BE-Turqi për refugjatët

19.02.2016 17:03

Bashkimi Evropian në fillim të muajit të ardhshëm do të mbajë një samit të posaçëm me Turqinë mbi krizën e emigracionit...

Një plan-veprimi BE-Turqi është paralajmëruar nga presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

“Bashkëpunimi me Turqinë është prioritar dhe ne duhet të bëjmë ç’është e mundur për t’ia dalë mbanë. Kjo është arsyeja përse vendosëm organizimin e një takimi special me Turqinë në fillim të muajit të ardhshëm”- deklaroi presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

BE po ashtu është zotuar t’i ndajë Ankarasë 3 miliardë euro ndihma në këmbim të strehimit të refugjatëve në territorin e saj, pasi sistemi i rishpërndarjes së refugjatëve në bazë të kuotave ka rezultuar jo efikas për shkak të refuzimit të disa shteteve të Evropës lindore për implementimin e planit të BE-së.

Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migrim IOM, UNHCR dhe UNICEF kanë paralajmëruar sot se mesatarisht dy fëmijë humbin jetën çdo ditë që nga shtatori i vitit të kaluar, derisa familjet e tyre tentojnë të kalojnë pjesën lindore të Mesdheut. Në një deklaratë të përbashkët të tre organizatave, bëhet thirrje për siguri për ata persona që po ikin nga konflikti dhe dëshpërimi, transmeton Telegrafi.

Sipas këtyre organizatave, nga shtatori i vitit të kaluar kur vdekja tragjike e djaloshit, Aylan Kurdi, tronditi botën, në pjesën lindore të Mesdheut janë mbytur më shumë se 340 fëmijë, kurse numri i përgjithshëm i fëmijëve viktima mund të jetë më i lartë, sepse trupat e tyre kurrë nuk janë gjetur.

“Nuk mund të kthejmë kokën nga tragjedia që ka marrë jetën e shumë të rinjve të pafajshëm”, ka deklaruar drejtori ekzekutiv i UNICEF, Anthony Lake.

Në gjashtë javët e para të këtij viti, nga 80.000 njerëz sa kanë kaluar Mesdheun kanë humbur jetën 410 njerëz, ndërsa fëmijët përbëjnë 36 për qind të atyre që janë në lëvizje. (Gazmend Rexhepi, TVM2)