A do ketë zgjedhje më 24 prill? Brukseli dhe Uashingtoni vlerësojnë gatishmërinë

19.02.2016 18:12

Brukseli dhe Uashingtoni, siç duket, ende po dakordojnë qëndrimin nëse janë përmbushur kushtet për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill, në pajtueshmëri me Marrëveshjen e Përzhinës....

Qëndrimi për këtë çështje pritej të paraqitet të premten, si afat i fundit për t’u dakorduar edhe pakoja e ligjeve që rregullojnë çështjen e medias, por burime nga institucionet përkatëse nuk përjashtojnë mundësinë që qëndrimi të deklarohet të shtunën, më 20 shkurt.

Ajo që dihet është qëndrimi i ambasadorëve pas zgjedhjes së Qeverisë kalimtare, i cili iu transmetua kryeministrit të ri, Emill Dimitriev, dhe kryetarëve të katër partive politike, se Brukseli dhe Uashingtoni vlerësojnë se për mbajtje të zgjedhjeve kredibile më 24 prill duhet që deri më 19 shkurt KShZ-ja të jetë siguruar me personel dhe financa, duhet të kenë përfunduar kontrollet fillestare në Listën Zgjedhore, me kryqëzim të të dhënave nga baza e të dhënave nga institucionet me relevancë, për të kuptuar se sa do të zgjaste procesi i pastrimit, duke përfshirë këtu edhe kontrollet në terren.

Deri më sot katër partitë duhej të kenë arritur marrëveshje për reformat në media dhe duhet të ishin ndërmarrë masa që do të sigurojnë ndarje të mjaftueshme të shtetit nga aktivitetet e partive politike. Mirëpo partitë politike nuk arritën marrëveshje sa i përket shtypit as në takimin e një dite më parë. Ndërmjetësuesi në bisedime, Piter Vanhote, theksoi se nëse nuk ka marrëveshje për të gjitha çështje që burojnë nga marrëveshja, atëherë nuk ka marrëveshje. Ndërkaq, burime nga OSBE ODIHR-i, hedhin poshtë spekulimet në media se edhe ky institucion do të dalë me qëndrim nëse janë plotësuar kushtet për zgjedhje më 24 prill ose jo. Sipas tyre, nuk është praktikë e kësaj organizate që të bëjë një gjë të tillë.

Ndërkaq, dy partitë politike maqedonase edhe më tej mbeten me qëndrime të kundërta. Sipas VMRO-DPMNE-së, 24 prilli është datë e dakorduar me marrëveshje dhe nuk ka asnjë pengesë për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë datë, ndërsa LSDM vlerëson se nuk ka kushte elementare që të mbahen zgjedhje korrekte dhe demokratike më 24 prill. (Shpëtim Nuredini, TVM2)