Ademi: Nga këshillat mësimorë në Tetovë nuk ka kërkesa për ndërrimin e emrit të shkollave

19.02.2016 19:10

Ademi ka deklaruar sot se ende asnjë këshill mësimor i shkollës fillore apo të mesme të Tetovës nuk ka parashtruar kërkesë për ndërrimin e emrit as në Ministri dhe as në Këshillin e Komunës së Tetovës...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi, ka deklaruar sot se ende asnjë këshill mësimor i shkollës fillore apo të mesme të Tetovës nuk ka parashtruar kërkesë për ndërrimin e emrit as në Ministri dhe as në Këshillin e Komunës së Tetovës, ndërkohë që është shprehur se, më mirë është të investohet dhe të ngrihet niveli i mësimit nëpër shkolla, dhe për emrat pas kërkesave të këshillave mësimorë do merret edhe kjo iniciativë.

“Nuk mund të sjell Ministria një vendim deri sa nuk ka një kërkesë të parashtruar. Këshillat e shkollave ende nuk kanë parashtruar kërkesë për ndërrim  e emrave të shkollave. Mirëpo unë edhe një herë do të përsëris se ne duhet të koncentrohemi në përmirësimin e kushteve infrastrukturore nëpër shkollat tona, të koncentrohemi të gjithë bashkë ata që jemi përgjegjës për arsimin, që të grisim cilësinë në arsim dhe në radhë të dytë të vinë çështjet tjera që nuk janë thelbësore për cilësinë  e arsimit në R. Maqedonisë”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.

Ademi me këtë rast po ashtu ka përmendur edhe investimet që janë bërë nëpër shkollat fillore dhe të mesme në Tetovë, vlera e të cilave kalon 2 milion eurot. Ministri Ademi këto komente i bëri gjatë vizitës së sotme të punëve në Shkollën Fillore “Migjeni” në Tetovë. (Visar Sadiki, TVM2)