Maqedoni

Zgjedhjet e 24 prillit, vlerësimi i ndërkombëtarëve shtyhet për të dielën

20.02.2016 15:28

Vlerësimi i Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve nëse janë përmbushur kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill do të publikohet nesër...

Burime nga zyra e Be-së dhe ambasada e ShBA-ve njoftojnë se pezullimi bëhet me kërkesë të liderëve të partive kryesore politike në Maqedoni. 
 
Është ky pezullimi i dytë i datës për deklarimin e vlerësimit të ambasadorit të BE-së dhe atij të SHBA-ve, Aivo Orav dhe Xhes Bejli nëse vendi ka plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve sipas kritereve të parapara me Marrëveshjen e Përzhinës. 
 
Sipas profesorit universitar, Mersel Bilalli, ndërkombëtarët mund të kenë pasur gati vlerësimin që të premten, por po përpiqen të koordinojnë reagimet e partive politike pas publikimit të vlerësimit, i cili sipas tij pritet të jetë negativ.
 
“Përfaqësuesit e jashtëm diplomatik duke e njohur  kodin mental të udheheqësve tanë partiak të cilët, me veprimet e veta munden dukshëm ta dëmtojnë procesin, momentalisht janë duke u angazhuar që ta orientojnë dhe menaxhojnë reagimin e mundshëm të liderëve të cilët do ta kundërshtonin raportin e dy ambasadave”, tha Mersel Bilalli, profesor universitar
    
18-të shkurti ishte data kur katër partitë duhej të arrinin marrëveshje për çështjen e medias, KSHZ-ja përveç zgjedhjes së anëtarëve duhej të ekipohet me personel dhe të dispononte me buxhetin e nevojshëm, si kusht për të realizuar kontrollet fillestare në Listën Zgjedhore me metodën e kryqëzimit të të dhënave nga baza e të dhënave nga institucionet me relevance; si dhe, të ishin ndërmarrë masa që do të siguronin ndarje të mjaftueshme të shtetit nga aktivitetet e partive politike.   
 
Ambasadori Aivo Orav ka disa ditë që ka lëshuar vendin për të realizuar konsultime me kabinetin e komisionerit evropian për fqinjësi të mirë dhe zgjerim, Johanes Han, i cili drejtpërdrejtë u përfshi në arritjen e Marrëveshjes politike të qershorit.
 
Para vizitës në Bruksel, Orav deklaroi se 24 prilli është pjesë e marrëveshjes si ditë për zgjedhje të parakohshme, mirëpo nga ana tjetër ka shumë vonesa në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinës.
 
Ndërkaq, partitë politike në pushtet vlerësojnë se zgjedhjet janë zgjidhja e krizës politike dhe se për ta dita e zgjedhjeve mbetet 24 prilli,  ndërsa partitë opozita, kryesisht thonë se pa zbatimin e të gjitha pikave nga Marrëveshja politike e qershorit nuk ka kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike.
 
SHPËTIM NUREDINI