Maqedoni
Reformat në media, ekspertët: Nuk ka kohë për reformë të mirëfillt
20.02.2016 18:12
Edhe përkundër dështimit të bisedimeve me grupet e punës për reforma në media, akoma egziston hapësirë që partitë politike të arrijnë marrëveshje për mediat..

Edhe përkundër dështimit të bisedimeve me grupet e punës për reforma në media, akoma egziston hapësirë që partitë politike të arrijnë marrëveshje për mediat, por ato do të jenë vetëm reforma teknike e jo rrënjësore. Kështu u shprehën njohësit e punës së mediave, të cilët vlersojnë se për të bërë reforma dhe për t’i parë rezultatet e para nga kjo, nevojitet shumë më tepër kohë, gjë që nuk premton gjendja momentale politike në vend.
“Reforma esenciale dhe kruciale e cila me një farë mënyre do ta ndryshoj në thellb në natyrën e sistemit mediatik nuk do të ketë për shkak se koha është shumë e shkurtur. Do të bëhet ndonjë reform e cila më tepër do të bazohet tek reformimi i institucioneve të cilat garantojnë gazetari të lire dhe objektive, siç janë Agjencia e Mediave, dhe Këshilli Programor I RTVM-së por kjo nuk është e mjaftueshme për të pasur reforma esenciale”, tha Sefer Tahiri, analist.
Edhe drejtoresha e Institutit Maqedonas për Media Zhaneta Trajkovska ndan të njëjtin mendim. Ajo vlerëson se reformat e mirëfillta në media duhen shikuar në aspekt afatgjatë.
“Ngecja e bisedimeve për mediat tregon qartë se sa për partitë politike janë të rëndësishme mediat për të manipuluar opinionin. Është e mundshme të arrihet ndonjë marrëveshje për reforma në media, mirëpo nëse ato reforma nuk janë afatgjate dhe rrënjësore nuk mund të priten rezultate të duhura, dhe të njëjtat do të jenë vetëm reforma të shkruara në letër. Mendoj se te një pjesë e politikanëve në vend qëndron kjo shpresë se gjithçka që do të planifikohet dhe do të bëhet për mediat do të jetë vetëm një formalitet i cili do të qëndrojë vetëm në letër e jo në praktikë”, tha Zhaneta Trajkovska, IMM.
Grupet e punës deri tani i tejkaluan të gjitha afatet e parapara për të arritur marrëveshje për reforma në media. Më kontestuese për dy partitë politike maqedonase në këto bisedime është shperndarja e mjeteve qeveritare për reklamim, përbërja e Këshillit të Agjencisë për Media dhe Këshilli Programor i RTVM-së.
REXHEP QAMILI
