Maqedoni
Sistem biometrik edhe për refugjatët
20.02.2016 18:16
Vazhdon odiseada e refugjatëve nga zonat e krizës të cilët tranzitojnë nëpër Maqedoni...

Në 24 orët e kaluara rreth 800 shtetas të huaj kanë marrë vërtetime për shtrimin e kërkesës për pranimin e të drejtës së azilit, prej të cilëve mbi 300 janë fëmijë.
Refugjatët janë kryesisht nga Afganistani, Siria dhe Iraku.
Refugjatët të cilët nga Greqia do të hyjnë në territorin e Maqedonisë, sëshpejti do të regjistrohen në mënyrë të re përmes sistemit të ashtuquajtur biometrik.
Ky sistem do të përfshijë plotësimin e një formulari, përmes të cilit migrantëve do t’u merren të dhënat e tyre biometrike, ndërsa njëkohësisht do të kryhet edhe kontrolli nëse migrantët e flasin gjuhën e vendit prej të cili kanë lajmëruar se vijnë.]
“Ky sistem biometrik që është donacion, është në fazën e montimit dhe për një kohë të shkurtër duhet të fillojë të funksionojë”, theksojnë nga MPB, njofton AA.
Sistemi biometrik do të mundësojë që refugjatët të regjistrohen në një vend, e më pas në formularin të cilin do ta marrin do t’u vihet vulë nga vendet ku kalojnë dhe do të kontrollohen të dhënat që janë vënë në formular.
Aktualisht kufiri ndaj Serbisë fqinje nga ana serbe nuk është mbyllur për migrantët, por ka ngecje të përkohshme për shkak të mënyrës së re të regjistrimit, theksojnë nga MPB-ja, duke shtuar se nuk është mbyllur as kufiri i Maqedonisë ndaj Greqisë.
Mënyra e re e regjistrimit vijon pas firmosje së djeshme të marrëveshjes së përbashkët nga ana e vendeve të “Rrugës Ballkanike”.
SHPËTIM NUREDINI
