Botë
Clinton fitoi te demokratët, Trump te republikanët, Bush tërhiqet nga gara
21.02.2016 14:11
Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka fituar në garën partiake presidenciale të demokratëve në shtetin Nevada...

Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Hillary Clinton, ka fituar në garën partiake presidenciale të demokratëve në shtetin Nevada, ndërsa biznesmeni i pasur, Donald Trump, ngadhnjeu në votimet republikane në shtetin Karolina Jugore.
Senatori Bernie Sanders, pak kohë pasi kishin përfunduar votimet e kishte thirrë zonjën Clinton dhe i ka uruar fitoren. Pasi janë numëruar 88% të fletëvotimeve, Clinton kishte 52.6%, ndërsa Sanders 47.4%.
Trump, 69 vjeçar, e ka shpallur fitoren e tij, meqë pas 87% të rajoneve të llogaritura ai kishte 33% të votave. Të dy partitë në Shtetet e Bashkuara, Partia Demokratike dhe ajo Republikane, në muajin korrik do t’i mbajnë konventat e tyre kombëtare, ku do të shpallet i nominuari partiak për të garuar për president, në zgjedhjet që mbahen më 8 nëntor të këtij viti.
Ndërkohë, Ish-guvernatori i Floridës, Jeb Bush, ka shpallur tërheqjen nga gara republikane për president të Shteteve të Bashkuara. Bush, babai dhe vëllai i të cilit ishin presidentë amerikanë, deklaratën për tërheqje e bëri mbrëmë vonë në Karolinën Jugore, pas zgjedhjeve partiake.
Para votimeve në këtë shtet, atij në ndihmë gjatë fushatës i kishte ardhur edhe i vëllai, Geroge Bush, ish-president amerikan, dhe nëna e tij. Por, duke pasur parasysh plasmanin e dobët në votimet në Ajova dhe Nju Hempshër dhe tash në Karolinën Jugore, ai shpalli tërheqjen nga gara.
