Maqedoni

Takimi i liderëve, pritet vlerësimi i ndërkombëtarëve

21.02.2016 18:11

Një takim i jashtëzakonshëm i liderëve politik nënshkrues të Marrëveshjes politike të qershorit është thërritur sot nga ambasadori i ShBA-ve dhe ai i BE-së...

Një takim i jashtëzakonshëm i liderëve politik nënshkrues të Marrëveshjes politike të qershorit është thërritur sot nga ambasadori i ShBA-ve dhe ai i BE-së, në prag të publikimit të vlerësimit, nëse vendi ka plotësuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare më 24 prill.  
 
Krerët e tre partive kryesore në vend, Ali Ahmeti i BDI-së, Zoran Zaev i LSDM-së dhe Menduh Thaçi i PDSH-së janë mbledhur në Klubin i deputetëve dhe për disa orë po presin që t’u bashkangjitet edhe kreu i VMRO DPMNE-s Nikolla Gruevski.
 
Pjesëmarrja e ambasadorit të ShBA-ve dhe atij të BE-së lë të kuptohet se duhet të diskutohet pikërisht vlerësimi i ndërkombëtarëve për gatishmërinë e Institucioneve vendore për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme dhe një dakordim se si do të veprohet më tej.
 
Ambasadorët, dy ditë rradhazi, por edhe sot kur pritej përfundimisht të publikohet vlerësimi, disa herë shtyen kohën për të deklaruar qëndrimin nëse do të mbështesin ose jo mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill dhe termini I fundit për ta bërë një gjë të tillë është caktuar për në orën 19, para qeverisë.  
 
Pezullimi i vazhdueshëm i datës, por edhe i orës kur dy ambasadorët duhet të bëjnë publik vlerësimin, lë të kuptohet se ndërkombëtarët po u japin alterativa dhe mundësi të ndryshme partive politike që procesi i nisur para një viti të mos dështojë dhe Maqedonia të vazhdojë rrugën euroatlantike.    
 
Burime brenda takimit thonë se liderët në tavolinë kanë propozimin që zgjedhjet e parakohshme të mbahen në qershor, por nuk përjashtohen edhe alternativa të tjera, sidomos mundësia e hapur që data e zgjedhjeve të caktohet pasi të plotësohen të gjitha pikat nga Marrëveshja e Përzhinës. 
 
Gjithsesi, vendimi do të mësohet pasi të ketë përfunduar takimi. 
 
Ndërkohë ambasadorët e SHBA-së Xhes Bejlli dhe ai i BE-së Aivo Orav para se t’i kumtojnë opinioni vlerësimin e tyre për gatishmërinë e Institucioneve për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pritet që vlerësimin t’ia dorëzojnë kryeministrit teknik Emil Dimitriev.
 
Ndërkaq, lehtësuesi belg Piter Vanhojte, në një postim në profilin e tij të rrjetit social tuiter ka shkruar se është dorëzuar. "Nuk ka zgjedhje më 24 prill".- ka shënuar Vanhote.
 
SHPËTIM NUREDINI