Mercedes prezanton W07 për titullin e tretë
Mercedes zbulon makinën W07 me të cilën do të kërkojë titullin e tretë rresht në Formula 1...

Shumë e ngjashme me paraardhësen, njëvendëshja e re nuk zbulon shumë detaje të reja për syrin e jashtëm, por puna për inxhinierët gjermanë nuk ka mbaruar pasi makina do t’u nënshtrohet modifikimeve edhe gjatë testeve që do të zhvillohen në Montmelo.
Objektivi është i qartë, titulli i tretë, ndërsa Lewis Hamilton ka vendosur në shënjestër trofeun e katërt të karrierës.
“Makina mund të duket e ngjashme me atë të vitit të shkuar por në brendësi ka shumë ndryshime që ndërtojnë një evolucion në kompleks për sezonin e ri. 2016-ta është një sezon ndryshe përsa u përket normave dhe ne kemi punuar në këtë drejtim pasi duam t’u përshtatemi rregullave të reja”, shpjegon drejtori teknik, Paddy Lowe.
Nga videoja e postuar, hunda e makinës së re duket më e ulët. Ë07 ka ruajtur të njëjtat linja edhe në pjesën e pasme dhe në pamje të parë nuk janë bërë ndryshime të dukshme aereodinamike.
Gjithsesi, më në detaje njëvendeshja kampione në fuqi do të analizohet gjatë testeve të Montmelosë ku do të japë sinjalet e para në pistën katalanase.
