Formula 1, Mclaren prezanton makinën e sezonit 2016
McLaren zbulon makinën e vitit 2016 e cila është quajtur edhe makina e shpresës për skuadrën nga Woking që kërkon të fshijë sa më parë zhgënjimin e sezonit të kaluar...

E quajtur McLaren MP4-31, njëvendëshja britanike u prezantua nëpërmjet një klipi të publikuar në internet.
Ky është viti i dytë i bashkëpunimit me markën Honda, ndërsa drejtuesi i projektit është inxhinieri britanik Peter Prodromou, ish krahu i djathtë i Adrian Neëey te Red Bull. Shefi i skuadrës, Ron Dennis deklaron se objektivi është gjetja e rrugës së sukseseve por pa bërë parashikime.
Gjithsesi, Fernando Alonso mbetet optimist. Spanjolli do të zbresë në pistën e testeve të Barcelonës të martën.Ai deklaroi se makina e re është fryt i një pune të madhe të bërë mbi të gjitha me paketën aereodinamike.
“Unë jam 100 % gati për të zbritur në pistë”, theksoi ish kampioni i botës në prezantimin e njëvendëshes.
Përsa i përket detajeve dhe risive, makina e re McLaren dominohet nga ngjyra e zezë me një telajo të ndryshuar radikalisht, ndërsa ndryshimeve të mëdha iu nënshtrua edhe hunda.
Ndryshimet aeredinamike vihen re edhe në pjesën mbi kokën e pilotit.
Bëhet fjalë për një makinë më të fuqishme se ajo e vitit të kaluar ku McLaren ka shpenzuar shumë energji pasi puna për ndërtimin e saj ka nisur që në muajin Maj të vitit të shkuar.
