Sportet E Tjera

Weirather befason, ngadhënjeu në supersllallomin e madh

21.02.2016 18:47

Skiatorja nga Lihteshtajni, Tina Weirather, befasoi të gjithë, duke shënuar fitore në disiplinën e supersllallomit të madh, të mbajtur në La Thuile të Italisë.

Ajo ishte më e shkathët se skiatoret Lara Gut nga Zvicra dhe Lindsey Vonn nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
 
Weirather arriti e para me kohë 1:17.73 minuta dhe ka pasur kohën shumë më të mirë për 57 qindtat se vendi i dytë, Gut. Amerikania Vonn arriti në podium, por me një kohë më të dobët për 64 qindtat se fituesja e garës, por për tre qindtat i iku pozitës së katërt, zviceranes Fabienne Suter.
 
Gara ka qenë mjaft e fortë, por Tina Weirather e kishte ditën e saj, duke befasuar skiatoret Gut e Vonn.
 
Në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës, Vonn kryeson me 1200 pikë, duke e lënë pas vetes Gut me 1177 pikë, pas saj janë Rebensburg nga Gjermania me 878 pikë, Weirather (759), suedezja Hansdotter (701) etj. Me një fjalë, Vonn dhe Gut do të bëjnë luftë të ashpër deri në fund se cila do të jetë kampion i ri.
 
Në fakt, Vonn ka epërsinë me 23 pikë ndaj Gut, kjo është dëshmia më e mirë se sa e nxehtë është lufta për titull. Në disiplinën supersllallomit të madh, Vonn udhëheq me 420 pikë e cila përcillet nga Gut me 341 sosh, pasojnë Weirather (266), austriakja Hütter (229), Rebensburg (204).