Maqedonia dhe Kosova, marrëveshje bashkëpunimi në fushën e eurointegrimeve
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Besimi dhe ministri i Integrimeve të Kosovës, Bekim Çollaku nënshkruan sot në Prishtinë një marrëveshje bashkëpunimi mes dy qeverive , në fushën e integrimeve në Bashkimin Evropian....

Zëvendëskryeministri Besimi, tha se me këtë marrëveshje parashihet këmbimi i përvojave në fushën e integrimeve evropiane, proces ky, i cili sipas tij është jashtëzakonisht i rëndësishëm për qytetarët e të dyja vendeve.
“Ne sot nënshkruam një marrëveshje ndërmjet dy vendeve tona. Deri tani janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje të ngjashme në fusha të ndryshme. Dhe sot ne e realizojmë dhe një marrëveshje për bashkëpunim në fushën e integrimeve. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme sidomos që tani Kosova e ka të nënshkruar marrëveshjen për stabilizim asociim. Maqedonia ishte vendi i parë në rajon që ka nënshkruar këtë marrëveshje nga viti 2001 dhe i njëjti është në fuqi nga viti 2004. Dhe kemi përvojë më se një dekadë në këtë proces. Përvojat pozitive por edhe ato nga të cilat kemi mësuar mund të shfrytëzojmë të ndajmë me Kosovën. Si dhe në kontekst të zhvillimit dhe të fondeve evropian e IPA Fondet, fondet e Unionit Evropian, pastaj për Ballkanin perëndimor dhe të ngjashme. Por dhe anasjelltas. Ne mund të mësojmë dhe nga Kosova, pasi që metodologjitë e reja evropiane këtu provohen dhe nga fillimi”, tha Besimi.
Sipas ministrit të Kosovës, Çollakut kjo marrëveshje do i shërbejë Kosovës, për arritjen e përvojave më të mira nga procesi i integrimit evropian, nëpër të cilin ka kaluar Republika e Maqedonisë
“Nënshkruam një tjetër marrëveshje bilaterale, të bashkëpunimit në fushën e integrimit evropian në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë, e cila sigurisht do t’i shërbejë Kosovës, që të merr përvojat më të mira nga procesi i integrimit evropian, nëpër të cilin ka kaluar Republika e Maqedonisë deri më tani. Natyrisht mbesim të përkushtuar, që këto përvoja t’i marrim në Kosovë dhe ta shtyjmë sa më përpara dhe avancojmë procesin e integrimit evropian, për Republikën e Kosovës”, tha Çollaku.
Në lidhje me marrëveshjen për qarkullim të lirë mes Kosovës dhe Maqedonisë, ky qytetarët e të dyja vendeve mund të lëvizin vetëm me letërnjoftim, Besimi tha se kanë mbetur vetëm çështjet operative dhe teknike, për implementimin e kësaj marrëveshje, pasi që aspektet ligjore janë të mbyllura sa i përket kësaj marrëveshje.
Ndërsa ministri Çollaku tha se edhe kjo marrëveshje ndërshtetërore, kërkon ratifikimin me 2/3 e votave dhe se kjo e bën të domosdoshme funksionalizimin e punës në Parlamentin e Kosovës. Çollaku thotë se duhet të kemi institucione, normale dhe stabile, si dhe normalizim dhe funksionalizim të plotë të parlamentit, në mënyrë që të ratifikohen jo vetëm kjo marrëveshje ndërshtetërore, por dhe marrëveshje tjera të natyrës financiare që ka nënshkruar Republika e Kosovës gjatë këtyre muajve të fundit.
