Zgjedhjet, reagon opozita: Ndërkombëtarët konfirmuan thëniet tona
Pas rekomandimeve te dhena nga ana e ambasadorit amerikan Xhes Bejli per daten e zgjedhjeve kane reaguar partite politike opozitare...

Nga LSDM thone se Bashkësia ndërkombëtare e konfirmoi atë që kjo parti e flet gjatë gjithë kohës se me 24 prill nuk ka kushte për zgjedhje fer dhe demokratike.
Edhe LR-PDSH i jep mbështetje të plotë shtyrjes së zgjedhjeve duke nënvizuar se tani, presioni nuk duhet ulur, por duhet rritur mbi qeverinë, KSHZ-në, gjykatat dhe të gjitha institucionet e aktorët tjerë politikë, në mënyrë që zgjedhjet të mund të zhvillohen sipas standardeve dhe agonia të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Nga “Uniteti” përsërisin qëndrimin se zgjedhjet e parakohëshme parlamentare janë më se të nevojshme, mirëpo vetëm në kushte të pranuara nga faktori ndërkombëtar, tek te cili edhe i kanë mbështetur shpresat të gjithë qytetarët e vendit. “Uniteti” përshëndet vendosmërinë e SHBA-së dhe BE-së për të siguruar kushte demokratike për zgjedhje.
Lëvizja “BESA”, duke përshëndetur vlerësimin e ambasadorëve, thotë se para se të flitet për çfarëdo date të re për zgjedhjet, duhet të insistohet për plotësimin e të gjitha kritereve për mbajtje të zgjedhjeve të drejta dhe të lira, por edhe të realizohet në përpikmëri secila pikë e Marrëveshjes së Përzhinës. Lëvizja “BESA” ripërsërit qëndrimin se, është e gatëshme të marrë pjesë në zgjedhje kurdo që ato të mbahet, por jo nëse zgjedhjet nuk marrin garanci ndëkombëtare se plotësojnë kriteret sipas standardeve të OSBE-së dhe ODIHR-it për zgjedhje të drejta, transparente dhe demokratike.
Nga RDK ndërkohë vlerësojnë se deklarata e ambasadorëve për shtyrje të zgjedhjeve , vulos vendosshmërinë për fuqizimin e institucioneve dhe sundimin e ligjit në vend sepse këto janë mungesa evidente për mbajtje të zgjedhjeve të lira dhe demokratike.
