Debati për lustrimin, ekspertët: U kthye në proces politik
Procesi i lustrimit ende vazhdon të debatohet në Maqedoni me tone po aq të nxehta sa edhe në fillimet e vetë procesit....

Në një tryezë të organizuar sot në Shkup nga institute për të drejtat e njeriut, ekspertët e fushës debatuan rreth lustrimit dhe shkeljes ose jo të të drejtave të njeriut gjatë gjithë procesit.
Të pranishmit në debat thanë se i gjithë procesi u shoqërua me shkelje të shumta, e në vend të lustrimit të atyre që vërtetë i kanë shërbyer ish sistemit, duke dëmtuar të tjerët, ai u kthye në një proces klasik politik për të larë hesapet me kundërshtarët.
“Ata njerëz që kanë qenë të përfshirë gjatë procesit të lustrimit u janë shkelur të drejtat e tyre njerëzore. Kjo është një çështje shumë diskutabile, që kërkon më shumë përkushtim dhe prova se sa vetëm një letër e bardh me akuzë që ata kanë qenë bashkëpunëtorë të shërbimeve sekrete të ish-Jugosllavisë”- deklaroi ish gjykatësja në Strasburg, Caca Nikollovska.
“Lustrimi logjikisht duhej të ishte pastrim, megjithatë te ne ai nuk pati atë qëllim, por pati dimensionin politik, luftën kundër gjithë atyre që nuk mendojnë si pushteti dhe si i tillë funksion”- theksoi analisti, Mersel Bilalli.
“Procesi i ilustrimit te ne u shndërrua si proces i keqtrajtimit të njerëzve të caktuar. U lustruan edhe persona të vdekur ose emra të njohur nga historia jonë me të vetmin qëllim, që të mos jenë më bartës funksionesh, kjo është çmenduri, është absurditet”- tha gjykatësi i lustruar, Trendafill Ivanovski.
Projekti është mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës dhe ka si qëllim përforcimin e mekanizmave të drejtësisë efektive gjatë procesit të lustrimit, si parakusht për respektimin e të drejtave të njeriut dhe sundimin e së drejtës. (Rexhep Qamili, TVM2)
