Indi, qytetarët në protesta, krizë për ujë në Dehli, 16 të vdekur
Qindra njerëz protestuan tashmë tre ditë në Indi në kërkim të vendeve të reja të punës...

Protestuesit bllokuan kanalin Munak, që furnizon 3/5 e kryeqytetit Dehli me ujë për pije, duke rrezikuar 20 milion banorë të Dehlit. Sot ushtria indiane mori nën kontroll kanalin, por autoritetet thonë se do të duhen të paktën tre deri në katër ditë që në zonat e prekura të rifillojë furnizimi normal me ujë. Gjatë tre ditëve trazira, 16 persona humbën jetën dhe qindra të tjerë mbetën të plagosur.
“Ushtria mori tashmë nën kontroll kanalin Munak. Ai është i dëmtuar nga protestat dhe ne po punojmë ta vëmë në funksion. Uji tashmë është lëshuar në rrjedhën e sipërme dhe presim që pas 5 orësh të arrijë në Dehli. Ndërkohë, ne po shpërndajmë ujë me autobote”- tha ministri i burimeve të ujit, Kapil Mishra.
Shumë zona në qytet mbetën pa ujë dhe shkollat u mbyllën. Protestat kundër qeverisë u përhapën edhe në qytete të tjera në vend, teksa autoritet kanë vendosur ushtrinë në terren. Sipas mediave vendase, në disa zona ushtria ka qëlluar me armë ndaj protestuesve. Dhuna detyroi mbylljen e disa rrugëve kryesore dhe atyre nacionale, duke paralizuar gjithashtu sistemin hekurudhor në veri të Indisë. (Leunora Kaliqi, TVM2)
