Botë

Turqia pro operacioneve kundër ISIS-it në Siri, Italia: zgjidhje politike të konfliktit sirian

22.02.2016 15:48

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia po përpiqen të bindin palët kundërshtare se duhet të ulin armët e të pranojnë propozimin e një armëpushimi të përkohshëm në Siri...

Për këtë marrëveshje ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, në një konferencë për shtyp me homologun italian, Paolo Gentiloni, në Ankara, deklaroi se vetëm sulmet ajrore kundër ISIS-it në Siri nuk mjaftojnë, duhet një strategji bashkë me to, duhet një përpjekje nga toka.
 
Por, ai shtoi se Turqia nuk do të veprojë e vetme në këtë drejtim dhe se duhet një vendim i përbashkët. 
 
"Ne kemi bërë vlerësimin e çështjeve të rajonit, si rasti me Sirinë, dhe jemi të informuar në lidhje me draft-marrëveshjen mes Rusisë dhe SHBA-së, e cila ishte një pasqyrim i deklaratës së 11 shkurtit, por duam që kjo marrëveshje të zbatohet dhe më e rëndësishmja në këtë drejtim është ndërprerja e sulmeve ajrore të Rusisë në këtë vend”- deklaroi ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavusoglu.
 
Çavusoglu është shprehur në favor të qëndrimit të Italisë mbi nevojën për një armëpushim dhe për një transicion politik në Siri, duke shtuar se Turqia nuk ka agjenda sekretë.
 
Nga ana e tij, ministri i Jashtëm italian është shprehur për një zgjidhje politike të konfliktit sirian. 
 
“Situata në Siri është shumë e rëndë në aspektin humanitar dhe shumë e vështirë në atë strategjik. Megjithatë, për Italinë është e nevojshme bashkimi i forcave kundër ISIS-it dhe të besojmë në perspektivat që ofrojnë bisedimet për paqen. Premisat që na ka komunikuar John Kerry janë inkurajuese dhe duhen mbështetur”- tha ministri i Jashtëm italian, Paolo Gentiloni.
 
Ai ka pohuar qëndrimin e Romës zyrtare se, “zgjidhja diplomatike dhe hapja e një procesi transicioni politik në Siri është kryezgjidhja e konfliktit”. Ndryshe, gjatë ditës së djeshme aktivistët sirianë kanë raportuar se nga një seri shpërthimesh në hapësirat e kontrolluara nga qeveria e Sirisë janë vrarë së paku 140 persona dhe janë plagosur mbi 80 të tjerë.
 
LEUNORA KALIQI