Maqedoni
KE konfirmon vlerësimin e ambasadorëve: nuk ka kushte për zgjedhje më 24 prill
22.02.2016 16:02
Pas deklaratës së përbashkët të Ambasadës së ShBA-ve dhe asaj të BE-së në Shkup, se nuk janë krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill...

Pas deklaratës së përbashkët të Ambasadës së ShBA-ve dhe asaj të BE-së në Shkup, se nuk janë krijuar kushtet e nevojshme për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, me përshtypje të njëjtë doli sot edhe Komisioni Evropian.
“E dini se bashkësia ndërkombëtare pati thënë para ca kohe se do të vlerësojë ecurinë e përgatitjeve për zgjedhjet e parakohshme”, deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq. “Këto zgjedhje ishin paraparë në Marrëveshjen e Përzhinës, si hap i rëndësishëm në procesin e reformave, që do t’a kthente besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, në garë fer të ideve dhe perspektivave politike, e cila do ta zhvendoste vendin nga kriza politike. Prandaj ftoj liderët polik të angazhohen për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile në afat sa më të shpejtë që të jetë e mundur”- tha ajo.
“Vlerësimi tregon se në këtë fazë kushtet e nevojshme për organizimin kredibil të zgjedhjeve më 24 prill për momentin nuk janë siguruar edhe pse është shënuar progres. Në këtë kontekst, ne besojmë se nevojiten hapa serioz nga të gjitha palët e përfshira, që të sigurohet se do të ketë kushte adekuate për proces zgjedhor kredibil, ku të gjithë qytetarët dhe partitë lirshëm do të kontribuojnë. Ne ju bëjmë thirrje liderëve të jenë të përkushtuar dhe partitë politike të punojnë drejt hapave të rëndësishëm për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile në afat sa më të shpejtë”- deklaroi zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq.
Kociançiq thekson se në vlerësimin e përbashkët të nënshkruar nga ambasadorët, Orav dhe Baily, në detaje është theksuar situata e përgjithshme politike mbi ecurinë e Marrëveshjes së Përzhinës.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
