Maqedoni
Zgjedhjet e parakohshme, analistët të ndarë për caktimin e datës
22.02.2016 16:42
Analistët politik në vend janë të ndarë rreth datës eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas publikimit të vendimit të ndërkombëtarëve...

Analistët politik në vend janë të ndarë rreth datës eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas publikimit të vendimit të ndërkombëtarëve se në Maqedoni nuk ka kushte që zgjedhjet të mbahen më 24 prill dhe se u lihet partive të vendosin për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Analisti, Naser Zyberi, thotë se duke u përmbushur paraprakisht kushtet e nevojshme, mbajtja e zgjedhjeve nuk duhet të tejkalojë datën 5 qershor, pasi që vendi udhëhiqet nga një qeveri teknike.
“Maqedonia është në një situatë paksa të çuditshme, nga njëra anë ka sjellë vendim për shpërbërjen e parlamentit dhe kryeministri është dorëhequr, në anën tjetër nuk i përmbush kriteret për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike, dhe në këtë dyzim të situatës duhet të gjendet një rrugë e ndërmjetme e cila mund të jetë shtyrja e zgjedhjeve për muajin qershor të viti 2016, si datë e cila mund të premtojë për mbushjen e kritereve për mbajtjen e zgjedhjeve fer dhe demokratike”- deklaroi analisti, Naser Zyberi.
Por, analisti, Nano Ruzhin, thotë se nuk duhet të caktohen data pa u përmbushur reformat e kërkuara për zgjedhje fer dhe demokratike. Ruzhin nuk përjashton mundësinë që deri më 24 shkurt të shpërbëhet kuvendi dhe VMRO të shkojë e vetme në zgjedhje edhe pse kjo, sipas tij, konsiderohet si akt jodemokratik që thellon krizën.
“Në rast se nuk ka reforma cilësore, nuk ka nevojë për zgjedhje, ose mund që VMRO të shkojë e vetme në zgjedhje më 24 prill dhe ta vërtetojë veten si fitues absolut, por këtu nuk qëndron thelbi i demokracisë dhe do të ishte një gabim i madh. Por, siç po zhvillohen tani punët, nëse nesër deri më orën 24 nuk shprehet kuvendi për ndryshimin e vendimit për shpërbërjen e kuvendit me 61 vota minimum, atëherë me automatizëm shkohet në shpërbërjen e kuvendit, dhe do të vijmë në një situatë jo të volitshme demokratike për vetë shtetin, për qytetarët dhe partitë politike”- tha analisti, Nano Ruzhin.
Por, analisti Zyberi thotë se VMRO do t’i kthehet bisedimeve, pasi që mund të mbetet e vetme në qëndrimet për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill përballë tre partive tjera, LSDM-së, BDI-së dhe PDSh-së, të cilat publikisht, por edhe në heshtje, kanë dhënë pëlqimin e tyre se zgjedhjet nuk mund të mbahen më 24 prill.
MERAL ISMAILI
