Botë

Vdes i mbijetuari i fundit i kampit nazist të Treblinkës

22.02.2016 17:11

Samuel Willenberg, i mbijetuari i fundit i kampit nazist të vdekjes Treblinka, në Poloninë juglindore, është ndarë nga jeta në shtëpinë e tij në Tel Aviv.

Treblinka ishte një prej kampeve naziste të vdekjes më famëkeqe ku më shumë se 800 mijë hebrenj janë vrarë. 
 
Më 2 gusht 1943, një grup të burgosurish hebrenj, vendosën të përballeshin me nazistët dhe të arratiseshin, mes tyre edhe Willenberg.
 
Shumë nga rreth 200 të arratisurit u qëlluan gjatë përpjekjes, por ai ia doli të largohej pavarësisht një plage të marrë në këmbë. 
 
Ai ka rrëfyer se rebelimi i tyre njohu botën me ekzistencën e kampit dhe me atë që ndodhte atje. 
 
Kampi i Treblinkës tani është shpallur memorial kujtese./Top Channel