Maqedoni

Kroacia dhe Serbia kthejnë rreth 600 migrantë në Tabanoc

22.02.2016 18:02

Qindra migrantë janë kthyer në kampin në Tabanoc pasi autoritetet Kroate dhe Serbe kanë kthyer migrantët nga Afganistani...

Në këtë kamp numri i migrantëve ka tejkaluar 600 persona, gra, fëmijë dhe burra, të cilët thonë se janë kthyer nga autoritetet kroate edhe pse i posedojnë dokumentet që u janë dhënë në kufirin  Maqedoni-Greqi.
 
“Për çdo natë kufirin e kalojnë njerëz nga Siria dhe Iraku. Ne afganëve na thonë të rrimë këtu dhe të presim”- deklaroi një migrant. 
 
“Kemi konfirmim se në Austri nuk është mbyllur kufiri, por nuk na lejojnë policët serbë të vazhdojmë udhëtimin. Ne po ikim nga lufta që po zgjat 30 vite, sirianët po kalojnë lirshëm edhe pse po luftohet vetëm 3 vite”- tha një migrant. 
 
Kompetentët në këtë kamp nuk dinë se çfarë do të ndodh me këta njerëz, por thonë se shumë shpejt do të mbushet kapaciteti i këtij kampi, i cili mund të pranojë rreth 1000 migrantë.
 
“Më adekuate do të ishte këtyre njerëzve t’u lejohet të vazhdojnë udhëtimin. Do të ishte më humane t’u lejohet të vendosen në vendet evropiane ku dëshirojnë të shkojnë. Por, do të vazhdojë të respektohet masa e re që ka hyrë në fuqi prej 21 shkurtit. Ne kishim në mëngjes një tren me 783 njerëz, por të gjithë ishin nga Siria dhe Iraku”- zyrtar i kampit në Tabanoc.                                                                                                                           
Me situatën në kapin në Tabanoc janë njoftuar edhe avokatët e popullit nga Maqedonia, Shqipëria dhe Spanja, të cilët mëngjesin e sotëm kanë vizituar kampin dhe kanë apeluar për zgjidhje të shpejtë të kësaj situate, që të mos lejohet krijimi i krizës së migrantëve në këtë vendkalim. 
 
Ndërkohë nga Ministria e Jashtme kanë thënë se nëpër Maqedoni do të transitojnë migrantë aq sa do të pranojnë vendet evropiane.
 
Sa i përket krizës së migrantëve, vendi po i ndjek konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian, thonë nga kjo ministri, duke shtuar se Maqedonia nuk ka për qëllim mbylljen e kufijve, por të pengojë kalimet ilegale, të ketë skrining, si dhe të ketë regjistrim të kërkuesve legjitim për azil në kufirin tonë dhe për të gjithë ata të cilët mund të vazhdojnë në destinacionin e tyre në vendet evropiane.
 
Problemi me afganët është ajo që një pjesë e tyre janë njerëz që nuk ikin nga konfliktet, të cilat momentalisht po ndodhin në vend, por kanë qëndruar në Greqi, Austri ose Gjermani një periudhë të caktuar kohore dhe e shfrytëzojnë valën migruese për të kërkuar azil në ndonjë vend të Evropës Perëndimore. 
 
ERSAN PAJAZITI