Maqedoni
VMRO: Vlerësimi i ndërkombëtarëve pa argumente; LSDM: Ndërkombëtarët konfirmuan qëndrimin tonë
22.02.2016 18:31
VMRO-DPMNE nuk pajtohet me vlerësimin e ndërkombëtarëve, se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill...

Sipas VMRO-DPMNE-së, ambasadorët në vlerësimin e tyre nuk publikuan asnjë argument dhe sipas kësaj partie bëhet fjalë për vlerësim të bazuar në vendime politike.
"Përfaqësuesit e ShBA-së dhe të BE-së nuk prezantuan asnjë argument serioz dhe kredibil në favor të tezës për mospërgatitjen e Republikës së Maqedonisë për zgjedhje, me çka është e qartë se bëhet fjalë për vlerësim të bazuar në vendim politik, e jo fakte"- theksohet në kumtesën e VMRO-DPMNE-së.
Nga kjo parti thonë se kjo situatë mund ta shtyjë vendin në probleme të reja dhe në vend të daljes nga kriza, ta çojë në thellimin e saj, në kundërshtim me atë se çka presin qytetarët edhe nga politikanët në vend edhe nga bashkësia ndërkombëtare.
Por, qëndrim krejtësisht të kundërt kanë rivalët e tyre politik. Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, vlerëson se VMRO-DPMNE-ja dje ka ikur nga vlerësimi objektiv dhe ballafaqimi me të vërtetën.
“Zgjedhje të lira dhe demokratike më 24 prill nuk mundet dhe nuk do të ketë. Çdo këmbëngulje për zgjedhje të parregullta vetëm për të shpëtuar lëkurën e Nikolla Gruevskit dhe familjes së tij do të fusë Maqedoninë në krizë dramatike me pasoja të paparashikueshme. Atë që ne vazhdimisht e flisnim u konfirmua drejtpërsëdrejti nga komuniteti ndërkombëtar, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Nuk ka kushte për zgjedhje të besueshme për shkak se nuk është pastruar lista zgjedhore dhe nuk janë zbatuar reformat për median e lirë”- tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaev thotë se nuk mendohet për datë, por pritet që KShZ të tregojë se kur do të përfundojë pastrimi i listës zgjedhore si dhe të rregullohet çështja e hapur për mediat.
Por, tani për tani asnjëra nga partitë nuk ka parashtruar kërkesë për ndryshimin e vendimit për shpërbërjen e kuvendit, i cili, sipas vendimit paraprak, duhet të shpërbëhet më 24 shkurt.
Madje, nga LSDM thonë se nuk kanë ndërmend të parashtrojnë një kërkesë të tillë, pasi që as nuk e kanë iniciuar shpërbërjen e kuvendit.
SANIJE DURAKU
