Ristovski: Diplomatë nga Maqedonia me parashenjën evropiane
Kualifikimet, që do të merren në të gjitha nivelet e arsimimit në Maqedoni, do të jenë ekuivalente me kualifikimet e BE-së...

Pas procesit dyvjeçar Maqedonia me sukses e harmonizoi kornizën e kualifikimeve me atë evropiane, raporti u pranua njëzëri nga Komisioni Evropian në Bruksel javën e kaluar dhe u vlerësua si i qartë dhe i shqyrtuar.
Zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, deklaroi se ky është një hap i rëndësishëm në sferën e arsimit të Maqedonisë, pasi harmonizimi mundëson që diplomat, të cilët në të ardhmen do të merren dhe do të jepen në Maqedoni, do të kenë parashenjën evropiane, me çka garanton se kualifikimi është i krahasueshëm, respektivisht se ekziston edhe në kornizat evropiane të kualifikimit.
Në vitin 2013 u miratua korniza e Maqedonisë në kualifikim në bazë të ligjit, ndërsa vitin e kaluar u formua Këshilli Kombëtar për zbatimin e saj. Drejtori i Agjencisë Kombëtare për Programe Arsimore Evropiane dhe Mobilitet, Darko Dimitrov, theksoi se bëhet fjalë për një proces jashtëzakonisht kompleks, ku me përkushtim punoi ekipi i MASh-it me përfshirjen e institucioneve të tjera.
