Vajgëll, Kukan dhe Houit takim me liderët politik

23.02.2016 12:25

Eurodeputetët, Ivo Vajgëll, Eduard Kukan dhe Riçard Houit, sot në Shkup pritet të takohen me liderët partiak për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga situata...

Takimi i tre eurodeputetëve me liderët politik vjen pas prezantimit të vlerësimit nga ShBA dhe BE rreth kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill, si dhe një ditë para shpërbërjes së Kuvendit, që është votuar për datën 24 shkurt.

Vizitën e tre deputetëve në Shkup në Twiter mbrëmë e paralajmëroi euroambasadori, Aivo Orav, nga Brukseli, duke cekur se sot është mundësia e fundit që liderët partiak të gjejnë zgjidhje dhe se për këtë duhet të ndihmojnë eurodeputetët.

Sipas Oravit, ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së biseduan për gjendjen në Maqedoni. Vajgëll, Kukan dhe Houit morën pjesë në bisedimet për Marrëveshjen e Përzhinës të qershor/korrikut të vitit të kaluar.

Ndërkohë, gjatë ditës së djeshme Brukseli zyrtar sërish konfirmoi  vlerësimin e ambasadorëve të ShBA-ve dhe BE-së se nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill në Maqedoni dhe ka ftuar partitë politike të punojnë rreth hapave të nevojshëm për mbajtjen e zgjedhjeve kredibile sa më shpejtë të jetë e mundur.