Fixhi, 29 të vdekur nga cikloni “Winston”

23.02.2016 13:01

Numri i personave të vrarë nga cikloni që goditi ishujt Fixhi ka shkuar në 29, me autoritetet që deklarojnë se pastrimi nga rrënojat mund të kërkojë disa muaj me radhë...

Rreth 8.500 persona ndodhen ende të strehuar në qendrat e evakuimit. Cikloni “Winston” ka rrafshuar shumë ndërtesa kryesisht në ishujt Vitit Levu dhe Koro.

Stuhia e kategorisë 5 përplasi në arkipelag erëra me shpejtësi prej 320 kilometra në orë, shira të dendur dhe valë deti që arritën deri në 12 metra lartësi.

Stacioni Meteorologjik i Fixhit e ka cilësuar dukurinë natyrore si më të keqen që ka goditur ndonjëherë vendin. Shtëpitë e rreth 2 mijë familjeve që jetonin në ishujt Koro janë shkatërruar, ndërkohë që dje janë gjetur trupat e pajetë të 8 personave.

Skuadrat e shpëtimit kanë paralajmëruar se numri i vdekjeve mund të rritet pasi në disa nga ishujt më shumë të prekur njësitë nuk kanë mbërritur ende. Edhe forcat ajrore të Zelandës së Re kanë ndihmuar ekipet e emergjencës në Fixhi që të kryejnë inspektime ajrore përgjatë gjithë arkipelagut. (Gazmend Kurtishi, TVM2)