Botë
Armëpushimi në Siri, qeveria dhe opozita zotohen ta respektojnë
23.02.2016 13:03
Qeveria siriane dhe grupi kryesor i opozitës së armatosur kanë pranuar kushtet e armëpushimit, i cili pritet të nisë këtë fundjavë...

Damasku zyrtar njoftoi se do të ndalojë të gjithë operacionet luftarake në përputhje me planin e përbashkët të miratuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.
Por, grupet opozitare thonë se pushimi i zjarrit nga ana e tyre varet nga qëndrimi i ushtrisë së Bashar al-Assadit. Opozita angazhohet të respektojë armëpushimin vetëm nëse edhe ushtria u jep fund rrethimeve dhe sulmeve ajrore ndaj civilëve.
Gjithsesi jashtë këtij plani armëpushimi mbeten dy grupe kryesore xhihadiste, ISIS-i dhe rivali i tij, Al-Nusra.
Kjo e fundit është një degë e Al-Kaedas dhe ka zgjeruar ndikimin e vet në pjesën më të madhe të aleancës së kryengritësve.
Zbatimi i planit të njoftuar një ditë më parë nga Moska dhe Uashingtoni mbetet një sfidë më vete.
Organizata e Kombeve të Bashkuara thotë se do të jetë tejet e vështirë që marrëveshja të gjejë zbatim, qoftë edhe të pjesshëm në terren.
Të paktën 250 mijë persona kanë gjetur vdekjen nga konflikti 5-vjeçar sirian dhe miliona të tjerë janë zhvendosur brenda dhe jashtë vendit të shkatërruar nga luftimet.
GAZMEND KURTISHI
