Maqedoni
Kriza e refugjatëve, migrantët kthehen nga Serbia, Tabanoci plot
23.02.2016 13:08
Vendimi i Austrisë për të zvogëluar në minimum numrin e pranimeve ditore të azilkërkuesve ka filluar të ndjehet edhe në kufijtë në Tabanoc dhe në Bogorodicë...

Qendrat pranuese në Tabanoc prej sot po mbushen me refugjatë që kthehen nga Serbia. 700 migrantë nga Afganistani janë kthyer nga autoritetet kroate dhe tashmë gjenden në kampin në Tabanoc. Flitet edhe për 300 të tjerë që po kthehen në Maqedoni, në pamundësi për të vazhduar udhëtimin drejt vendeve të BE-së.
Edhe Sllovenia ka filluar të kthejë refugjatët nga Siria, duke respektuar kuotat e dakorduara për pranim vetëm të një numri të caktuar. Por, refugjatët e kthyer përballen me afatet e ngushta kohore të qëndrimit në vend. Ata kanë pasur leje qëndrimi 72 orëshe, e cila tashmë ka skaduar.
Kampi në Tabanoc u mbush mbrëmë edhe me 733 refugjatë që kaluan kufirin mes Maqedonisë dhe Greqisë. Kjo ka bërë që aktivistët dhe autoritetet të përballen me vështirësi për t’u siguruar atyre ushqimin dhe veshmbathjet e nevojshme.
Në një kamp refugjatësh pranë kufirit grek, mbrëmë kishte protesta të migrantëve që kërkojnë të kalojnë në vendin tonë. Ata bllokuan shinat e linjës ndërkombëtare të trenave, por u larguan më pas nga polica.
Emigrantët nga Afganistani janë transportuar me autobusë drejt kampeve në Athinë. Maqedonia ka filluar që prej fundjavës të ndalojë hyrjen në vend të migrantëve nga Afganistani dhe ka ngadalësuar procesin e pranimit të refugjatëve transitorë nga Siria dhe Iraku.
Pala greke ka ashpërsuar kriteret e identifikimit dhe në Idomeni, në afërsi të kuotës 59, për momentin ka 4 mijë migrantë që presin leje për të hyrë në Maqedoni.
GAZMEND REXHEPI
