Maqedoni

Pastrimi i listës zgjedhore, ekspertët: nuk ka kohë, të fillojë menjëherë

23.02.2016 15:17

Regjistrimi aktiv i qytetarëve dhe azhurnimi i tërësishëm i listës zgjedhore janë dy komponentët kryesore që duhet të bëhen për të pasur listë të pastër zgjedhore...

Ky është vlerësimi i të pranishmëve në debatin me temë “Çfarë liste zgjedhore i nevojitet Maqedonisë?”. 
 
“Ekspertët dhe politikanët vlerësojnë se modeli më i mirë për pastrimin e listës zgjedhore është regjistrimi i obliguar aktiv i qytetarëve, si dhe azhurnimi i tërësishëm i terrenit te listës zgjedhore. Por, për fat të keq u konstatua se për t’u bërë këto nuk ka as kohë, por as resurse. Megjithatë, edhe pse nuk ka kohë,  nuk do të duhet të hiqen nga prioritetet këto dy metoda për pastrimin e listës zgjedhore”- deklaroi Bojan Mariçiç nga QMPEE.
 
Kryetari i MOST tha se për të pasur listë të pastër zgjedhore deri më 5 qershor, duhet që të fillohet menjëherë me punë në terren.
 
“Nëse sot fillon kontrolli i kryqëzuar i të dhënave, ne mund të japim përkrahje se diçka mund të arrihet deri më 5 qershor, vetëm në momentin kur do të shohim se sa është vëllimi i të dhënave të cilat do të duhet të kontrollohen në terren. Gjithçka tjetër në këtë fazë do të ishte spekulim”- tha kryetari i MOST,  Darko Aleksov.  
 
Sipas vlerësuesve të raportit, shumë më e lehtë për të pastruar listën zgjedhore është që të kemi regjistrim të popullsisë, por për shkak se sipas tyre nuk mund që për momentin të bëhet një gjë e tillë, pas zgjedhjeve qeveria e re duhet ta ketë prioritet regjistrimin e popullsisë, për shkak se është një nga faktorët kyç për të pasur zgjedhje korrekte dhe demokratike.
 
Të pranishmit apeluan që të gjithë qytetarët më 5 mars të shkojnë në KShZ apo të vizitojnë ueb faqen e KSHZ-së që t’i kontrollojnë të dhënat e tyre.   
 
BELINDA KOKA-ADEMI