Botë

Tiranë, Prenga rikthehet në kuvend, PD kërcënon me bojkot të komisioneve

23.02.2016 15:27

Opozita në Shqipëri duket se do t’i rikthehet historisë së vjetër me bojkotin në kuvend...

Në fakt, bojkoti do të jetë i pjesshëm, pasi deputetët demokratë nuk do të marrin pjesë në asnjë komision kuvendor.
 
Shkak për këtë vendim nga ana e partisë më të madhe opozitare është bërë rikthimi i socialistit, Armando Prenga, në parlament, i akuzuar për plagosje të rëndë. 
 
“Gjakosësit e shqiptarëve e kanë vendin në qeli dhe jo në parlament. Për dekriminalizimin nuk ka asnjë pengesë, përveç vullnetit politik dhe për mungesë të tij, është fajtor Edi Rama. PD ka këmbëngulur për miratimin sa më shpejtë të akteve, ndërsa PS nuk ka lëvizur gishtin në këtë drejtim. Çdo vonesë në këtë drejtim ngarkon me përgjegjësi Edi Ramën dhe kupolën e tij. Pa zgjidhur çështjen e një njeriu që gjakos qytetarët e vet dhe më pas ulet në parlament, nuk ka qetësi”- deklaroi kryetari i PD-së, Lulzim Basha.
 
Ndërkohë, Partia Socialiste e ka mohuar Prengën si deputet të saj. Socialisti, Armando Prenga, është arrestuar mëngjesin e 5 shtatorit 2015 për plagosjen e 7 personave.
 
Ai nuk është i vetmi deputet me precedent penal në parlament, të tjerë janë: Tom Doshi, Arben Ndoka etj.
 
LULJETA NDOKA