Rasti “Sopot”, sërish shtyhet seanca gjyqësore
Edhe një herë është shtyrë seanca gjyqësore për rastin “Sopoti”...

Këshilli i gjykatësve ka një anëtar të ri të cilit i duhet pak kohë derisa të njohë në hollësi lëndën, po ashtu edhe një nga avokatët mbrojtës, Naser Raufi, është angazhuar në mbrojtjen e të akuzuarve në rastin e Lagjes së Trimave në Kumanovë, seancë e cila ishte caktuar në të njëjtën ditë me rastin “Sopot”. Kështu seanca u shty me arsyetimin se nuk ka kushte për mbajtjen e saj.
Avokati, Vullnet Pacuku, pret që gjykata të marrë parasysh të gjitha dëshmitë me të cilat disponon dhe të sjellë vendimin e vetëm të mundshëm, të shpallë të pafajshëm të gjithë të akuzuarit. Sipas avokatëve mbrojtës, nuk ka asnjë dëshmi verbale apo provë materiale që do të vërtetonte se të akuzuarit e kanë kryer veprën.
“Në qoftë se merren parasysh dëshmitë, në qoftë se merren parasysh të gjitha ato çka disponon edhe gjykata edhe ne si avokatë për këtë rast, i vetmi vendim i mundshëm është që të gjithë të akuzuarit të shpallen të pafajshëm. Nuk ka asnjë dëshmi, asnjë provë materiale, verbale, as diçka minimale që na thotë se këta e kanë kryer këtë akt krimi, të cilin edhe ne e dënojmë,- deklaroi avokat mbrojtës, Vullnet Paçuku.
Të akuzuarit dhe avokatët mbrojtës presin që rasti të kalojë në duart e Prokurorisë Speciale. Por, nga kjo e fundit thonë se ende nuk e kanë kërkuar dosjen për “Sopotin” nga Prokuroria Publike. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
