Maqedoni

Mediat-interesi publik apo politik, ekspertët: Media te të cilat qytetarët do besojnë

23.02.2016 16:22

Instituti për Studime të Komunikimit prezantoi sot dokumentin rreth mediave në Maqedoni...

Ekspertët debatuan rreth rolit të mediave në mbrojtjen dhe avancimin e interesit publik. Sipas tyre, mediat harrojnë rolin që kanë dhe shpesh kthehen nga mbrojtës të interesit publik, në pengje të interesave politike. 
 
“Konstatimi ynë është se mediat më me ndikim në vazhdimësi raportojnë në mënyrë të njëanshme, shkelin standardet e gazetarisë, duke iu pamundësuar qytetarëve që në ketë periudhë parazgjedhore të marrin vendime në bazë të informimit të drejtë”- deklaroi Snezhana Tërpevska nga Instituti për Studime të Komunikimit. 
 
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Shkup, Charles Garret, përkujtoi se interesi publik dhe marrëdhëniet e medias me të paraqesin një rëndësi fondamentale në demokraci.
 
“Që të lulëzojë demokracia, nevojitet një furnizim i vazhdueshëm i qytetarëve-votuesve me informata, në bazë të të cilave do të ndërtojnë opinionin, në bazë të të cilit do të votojnë. Këto janë arsyet përse kemi nevojë për media të besueshme”- tha ambasadori i Britanisë së Madhe në RM, Charles Garret.
 
Ekspertët pranuan se në vend ka një sistem mjaft të zhvilluar mediatik, një legjislacion të standardizuar dhe media të dixhitalizuara.
 
Por, sipas tyre, problemi qëndron në faktin se i tërë ky sistem shkelet nga elitat politike dhe ekonomike të cilat i mbajnë peng mediat.
 
Ata u bënë thirrje redaktorëve dhe pronarëve të mediave, që gjithnjë në radhë të parë të mendojnë për interesin publik.
 
BESIM ABDULLAI