Maqedoni

UT, Këndi amerikan dhe USAID, debat mbi zgjedhjet në ShBA dhe në Maqedoni

23.02.2016 16:51

Zgjedhjet në ShBA, me theks të veçantë ato presidenciale, dhe zgjedhjet në Maqedoni ishin temë e panelit të diskutimit...

Zgjedhjet në ShBA, me theks të veçantë ato presidenciale, dhe zgjedhjet në Maqedoni ishin temë e panelit të diskutimit të organizuar nga Fakulteti Juridik në Universitetin e Tetovës, në bashkëpunim me Këndin amerikan në Tetovë dhe USAID-in. 
 
“Në ShBA organizimi i zgjedhjeve për president është një garë që zhvillohet mes dy partive politike, asaj demokratike dhe republikane. Gara më e vështirë zhvillohet brenda partive, ku garojnë kandidatë të ndryshëm për të fituar mbështetjen e anëtarëve të partisë në gjithë Amerikën, për të zyrtarizuar kandidaturën e tij për president të ShBA-ve”- deklaroi drejtori i USAID-it, Xhejms Stejn.
 
“Perspektiva e sistemit zgjedhor në vazhdimësi duhet mbështetur në zbatimin e parimit të ndarjes së pushtetit shtetëror, ngase historia e lirisë është historia e rezistencës, është historia e kufizimit të pushtetit shtetëror; respektimin e të drejtave të qytetarëve, sepse liria nuk është vetëm një e drejtë, është detyrë e përhershme, proces i përhershëm; zbatim praktik i dispozitave kushtetuese dhe të kodit; shfaqja e administratës si shërbim dhe jo si pushtet, duke afirmuar shtetin juridik, të drejtat themelore të qytetarëve; fuqia politike, kompetencat, respektivisht të drejtat dhe obligimet të cilat gëzojnë subjektet politike, me rastin e ushtrimit të pushtetit shtetëror t’i vendosin në shërbim të qytetarit”- tha Fakulteti  Juridik- UT, Jusuf Zenejli.
 
Debati ngjalli mjaft interes tek studentët e pranishëm, të cilët u inkuadruan me pyetje që kishin të bënin me fushatën presidenciale në ShBA dhe zgjedhjet e pritshme në Maqedoni.
 
VISARI SADIKI