Maqedoni

Ademi në Slloveni, protokoll bashkëpunimi në sferën e arsimit

23.02.2016 17:00

Maqedonia dhe Sllovenia nënshkruan sot një protokoll për bashkëpunim në sferën e arsimit...

Me nënshkrimin e protokollit do të mundësohet zhvillimi dhe thellimi i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ekzistues bilateral përmes kontakteve të drejtpërdrejta ndërmjet institucioneve arsimore në të gjitha fushat e arsimit.
 
Protokollin e nënshkruan ministri i Arsimit të Maqedonisë, Abdilaqim Ademi, dhe homologia e tij sllovene, Maja Makovec-Brençiq.
 
“Në kuadër të këtij protokolli, studentëve, shtetas të Republikës së Maqedonisë, në lidhje  me pagesën e shkollimit për studime deridiplomike u mundësohet  studime në kushte dhe kritere të njëjta, të cilat do të vlejnë për studentët sllovenë dhe në pajtim me kushtet dhe kriteret e autonomisë universitare të universiteteve sllovene. Me rëndësi të veçantë për Maqedoninë është edhe përkrahja e dakorduar për inkorporimin e studimeve të përbashkëta pasdiplomike ndërmjet institucioneve të larta arsimore të dy vendeve në lëmin e interesit të përbashkët, me qëllim të përmirësimit të kualitetit në arsim edhe në këtë segment. Me dispozitat e protokollit janë paraparë bursa për përsosje studimore në institucionet e larta arsimore në të dy vendet për hulumtuesit e rinj deri në moshën 26 vjeçare, si dhe bursa për studentët të cilët studiojnë gjuhën maqedonase, përkatësisht gjuhën sllovene në institucionet e larta arsimore në të dy vendet”,- theksoi Ademi.
 
Dy ministrat në këtë takim gjithashtu diskutuan edhe për politikat në lëmin e arsimit dhe shkencës të dy vendeve, me theks të veçantë për përvojat pozitive të cilat disponon Republika e Sllovenisë, si anëtare e Bashkimit Evropian.