Maqedoni
Rasti “Lagja e Trimave”, dëshmuan 4 policët dhe banorja e Lagjes së trimave
23.02.2016 17:34
Katër policë të stacionit policor të Goshincës dhe një banore e Lagjes së trimave ishin dëshmitarët e ftuar nga prokuroria që dhanë dëshmitë e tyre në Gjykatën Penale në Shkup...

Dëshmitë e tyre u dhanë pa prezencën e familjarëve të 29 të akuzuarve, me arsyetimin se salla gjyqësore është e vogël.
Me të njëjtin pretekst u selektuan vetëm 5 gazetarë që të ndjekin seancën, veprim ky i gjykatës i cili detyroi që asnjë nga gazetarët të mos futet brenda në gjykatë.
Sipas informacioneve të dala nga gjykata, policët kanë rrëfyer se si janë sulmuar nga dy grupe të armatosura në stacionin policor në Goshincë. Ata ua kanë sekuestruar armët dhe kanë ikur me kamionë.
Ndërkohë që Shejnaze Fejzullahu, dëshmitarja e parë, ka dëshmuar për presionet policore gjatë ndërhyrjes së tyre në Lagjen e trimave.
“Më pyetën si ju kanë marrë, a ju rrahën, unë u thashë po. Aty i kanë rrahur fëmijët, u thashë, po edhe burrin ma kanë rrahur. U thashë për traumat. Më ka vdekur vjehrra nga trauma pas një muaji. Fëmijëve dhe burrit me automatë u janë vërsulur, pastaj i kapën fëmijët dhe me këpucë i kanë goditur në bel, ku kanë mundur, sa kanë dashur vetë, na kanë trishtuar”- deklaroi dëshmitarja e prokurorisë, Shejnaze Fejzullahu.
Familjarët e revoltuar, të cilët prisnin me orë të tëra jashtë gjykatës, kërkuan qasje më transparente nga gjykata gjatë procesit gjyqësor, duke iu vërsulur në një moment dyerve të gjykatës.
Familjarët akuzojnë institucionet se u mohohet edhe e drejta që të vizitojnë të afërmit e tyre në burg. Për një gjykim të drejtë kërkojnë që lënda të kalojë në duart e Prokurorisë Speciale.
“S’po dëgjon shteti, as për një fëmijë pesëvjeçar s’po dëgjon, dhe as nuk len ta shohë babanë e vet. Zërin nuk ia ka dëgjuar tanimë nëntë muaj, vetëm në foto çmallet me babanë. Ju garantoj se nuk ka pasur këto lidhshmëri që i monton shteti, ka punuar si berber në lagje dhe me shtëpinë e vet është marrë”- tha bashkëshortja e të akuzuarit Irfan Lutfiut, Ekreme Lutfiu.
Kjo ishte seanca e tretë gjyqësore pas seancave të para më 8 dhe 11 shkurt. Një nga avokatët mbrojtës, duke mos komentuar deklaratat e dëshmitarëve, tha se seanca vazhdon të enjten me deklarimet e dëshmitarëve të tjerë.
“Me aq sa është e informuar pala mbrojtëse, do të vazhdojë hetimi me procedurën e dhënies së dëshmive nga dëshmitarët e propozuar nga prokuroria”- theksoi avokati mbrojtës, Asmir Alipagiç.
Nga Gjykata Penale premtuan që gazetarët seancën e radhës do ta ndjekin në bibliotekën e gjykatës nëpërmjet video-lidhjes.
MERAL ISMAILI
