Maqedoni

Grupet parlamentare me qëndrime të ndryshme

23.02.2016 18:22

Edhe pse kanë mbetur edhe pak orë për shfuqizimin e vendimit për vetëshpërndarjen e kësaj legjislature...

Edhe pse kanë mbetur edhe pak orë për shfuqizimin e vendimit për vetëshpërndarjen e kësaj legjislature, në kuvend ende nuk është dorëzuar një nismë zyrtare për ndryshimin dhe plotësimin e këtij vendimi ose shfuqizimin e tij në tërësi, nevojë kjo që buron pas qëndrimit zyrtar të ambasadorit të BE-së dhe atij të ShBA-ve, se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve më 24 prill.
 
Sipas deputetit të BDI-së, Artan Grubit, grupi parlamentar i BDI-së ka hartuar një nismë të tillë dhe ka grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për t’u dorëzuar në kuvend. Përveç deputetëve të BDI-së, nismën e kanë nënshkruar edhe deputetët e PDSh-së dhe deputetja, Liljana Popovska, por do të dorëzohet në kuvend pasi të jetë siguruar shumica e deputetëve që do të votojnë pro. 
 
Ndërkaq, koordinatori i grupit parlamentar i PDSh-së, Imer Aliu, mohoi deklarimet e zyrtarëve të BDI-së se i janë bashkangjitur nismës së BDI-së. Ai thotë se parashtrimi i një nisme varet nga marrëveshja politike që duhet të arrihet mes liderëve politik. Aliu theksoi se partia që përfaqëson ndan qëndrimin me ndërkombëtarët dhe se nuk do të marrë pjesë në zgjedhje nëse ato i organizon VMRO dhe BDI.
 
Nga ana tjetër, koordinatori i grupit parlamentar i LSDM-së, Marijanço Nikollov, thotë se nismën për shfuqizimin e vendimit për shpërbërje të kuvendit duhet ta paraqet shumica parlamentare, ajo që propozoi vendimin për shpërbërje të kuvendit. Sipas tij, LSDM nuk do të nënshkruhet në nismën e BDI-së, por do ta mbështesë atë nëse në nismë nuk caktohet një datë tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve.
 
Ashtu si të gjitha ligjet që burojnë nga Marrëveshja politike e Përzhinës, edhe vendimi nëse do të shfuqizohet ose jo vendimi për vetëshpërndarje të kuvendit varet nga marrëveshja politike që duhet të arrijnë liderët e katër partive nënshkruese të kësaj marrëveshje. 
 
Deri tani pro pezullimit janë shprehur tre nga katër partitë pjesëmarrëse në bisedime. Vetëm VMRO-DPMNE këmbëngul që zgjedhjet të mbahen më 24 prill. 
 
Vendimi përfundimtar pritet të merret pas takimit që kanë tre eurodeputetët me liderët e katër partive, në takime të ndara.
 
SHPËTIM NUREDINI