"Martesa", Milano, 14 vjet e 8 muaj burg për 4 anëtarë të celulës xhihadiste italo-shqiptare

24.02.2016 12:30

Gjykata italiane e qytetit të Milanos ka marrë vendimin e gjykimit për 5 nga 10 anëtarët e celulës xhihadiste italo-shqiptare të arrestuar në operacionin “Martesa” më 11 korrik të 2015...

Është ky vendimi i parë gjyqësor i marrë në shtetin italian ndaj personave të akuzuar për pjesëmarrje në organizatën terroriste ISIS.

Duke pranuar kërkesën e 5 të akuzuarve për gjykim të shkurtuar e pas përfundimit të seancës dëgjimore të avokatëve të tyre mbrojtës, Gjykata e Milanos nën akuzën e terrorizmit ndërkombëtar e përhapjes së propagandës xhihadiste mori këtë vendim: shtetasja shqiptare, Arta Kacabuni, dënohet me 3 vjet e 8 muaj heqje lirie.

Prokuroria italiane kishte kërkuar dënimin me 4 vjet e 2 muaj burg. Shtetasi shqiptar, Baki Çoku, dënohet me 2 vjet e 8 muaj burg. Prokuroria italiane kishte kërkuar ndaj tij dënimin me 3 vjet e 2 muaj. Shtetasja shqiptare, Liljana Gjecaj, dënohet me 3 vjet burg.

Prokuroria italiane kishte kërkuar 2 vjet e 4 muaj heqje lirie. Shtetasi shqiptar, Dritan Gjecaj, bashkëshorti i Liljanës, lihet në gjendje të lirë. Prokuroria italiane kishte kërkuar ndaj tij dënimin me 2 vjet e 6 muaj burg.

Shtetasja italiane, Marianna Sergio, motra e xhihadistes italiane, Maria Giulia Sergio, bashkëshortja e shqiptarit, Aldo Kobuzi, dënohet me 5 vjet e 4 muaj heqje lirie. Prokuroria italiane kishte kërkuar ndaj saj po 5 vjet e 4 muaj burg.

Shtetasi italian, Sergio Sergio, do t’i nënshtrohet një procesi të rregullt gjyqësor. Çifti xhihadist, që tashmë gjendet në Siri, Aldo Kobuzi e bashkëshortja e tij, Fatima (Maria Giulia SERGIO), së bashku me nënën e Aldo Kobuzit, Donika Çoku, dhe  shtetasen siriane me pasaportë kanadaze, Haik Bushra, janë shpallur në kërkim ndërkombëtar e do të gjykohen në mungesë. Seanca gjyqësore ndaj tyre është parashikuar më datën 13 prill në qytetin e Milanos. Siriania, Haik Bushra, është identifikuar nga hetimet si personi që ka indoktrinuar me anë të internetit dy motrat italiane, Marianna e Maria Giulia Sergio.