Maqedoni

“Uniteti”, RDK, LR-PDSh dhe “Besa”: po zgjedhje më 5 qershor, po jo pa standarde

24.02.2016 15:10

Partitë shqiptare jashtëparlamentare, “Uniteti”, Lëvizja për Reforma–PDSh, “Besa” dhe Rilindja Demokratike Kombëtare kanë përshëndetur ndryshimin e datës së zgjedhjeve...

Partitë shqiptare jashtëparlamentare, “Uniteti”, Lëvizja për Reforma–PDSh, “Besa” dhe Rilindja Demokratike Kombëtare kanë përshëndetur ndryshimin e datës së zgjedhjeve, por përkujtojnë se as data e re nuk është garanci se zgjedhjet do të jenë të drejta  dhe demokratike.
 
Nënkryetari i “Unitetit”, deputeti, Zylfi Adili, ishte i vetmi që votoi kundër shpërbërjes së kuvendit më 24 shkurt, përkujtojnë nga partia e Ostrenit.
 
“'Uniteti’ e mirëpret ndryshimin e datës për zgjedhjet, por kjo nuk është garanci se do të rregullohet çështja e listës zgjedhore, e mediumeve dhe çështjet tjera të nevojshme për zgjedhje të lira dhe demokratike”, thonë nga kjo parti. 
 
Edhe RDK thotë se mbeten në të njëjtin qëndrim, se vendit i duhen zgjidhje dhe jo zgjedhje.
 
"Tërheqja e vendimit për shpërbërjen e kuvendit është një hap që duhet përshëndetur, por partitë politike duhet të jenë shumë të kujdesshme që mos e fusin vendin në një vrimë të zezë, duke caktuar sërish një datë tjetër për mbajtjen e zgjedhjeve, pa zgjidhjen e një sërë problemesh që e ka ngulfat vendin për një periudhë të gjatë kohore”, thuhet mes tjerash në komunikatën e partisë.
 
Në një mendim është edhe nga Lëvizja për Reforma në PDSh. 
 
"Jemi pro zgjedhjeve me standarde. Data nuk mund të jetë prioritet pa u plotësuar paraprakisht kushtet. KShZ duhet të punojë dhe gjitha institucionet e ngarkuara për këtë çështje, që të krijojnë kushte që më 5 qershor të mbahen zgjedhje. S’ka dilemë që zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejt, por që edhe standardet duhet të plotësohen sa më shpejt", thonë nga Lëvizja për Reforma në PDSh.
 
Edhe për Lëvizjen “Besa” nuk është problem dita kur mbahen zgjedhjet, por e rëndësishme është se a janë plotësuar kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI