Maqedoni

Shtyrja e datës së zgjedhjeve, Hahn: Marrëveshja e Përzhinës është gjallë; Bejli: Reformat në media, pjesë e prioriteteve

24.02.2016 15:34

Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve për më 5 qershor është komentuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, megjithëse jo me deklarata klasike për media...

Eurokomisari për zgjerim, Johanes Hahn, në Twiter ka komentuar se Marrëveshja e Përzhinës është e gjallë dhe se kërkohet angazhim i plotë nga të gjitha partitë politike nënshkruese.
 
“E përshëndes votimin e Kuvendit të IRJM-së për prolongimin e zgjedhjeve për më 5 qershor. Marrëveshja e Përzhinës ende është e gjallë. Të gjitha partitë plotësisht duhet të angazhohen, që të ndihmojnë për përgatitjen e zgjedhjeve kredibile, por edhe t’i inkurajojnë reformat prioritare, përfshirë edhe reformat në media”, shkruan Hahn. 
 
Ambasadori amerikan, Jess Baily, apelon te të gjitha partitë të punojnë me përkushtim që të krijohen kushtet për zgjedhje kredibile më 5 qershor. Shtyrjen e datës Bejli e ka vlerësuar si hap pozitiv.
 
“Vendimi për shtyrjen e zgjedhjeve për 5 qershor është hap i mirë, nëse të gjithë punojnë me përkushtim dhe sipas të gjitha rregullave zgjedhjet mund të jenë të kredibile dhe t’i sjellin fund kësaj krize politike. Besojmë se të gjitha partitë duhet të marrin pjesë në zgjedhje”- tha ambasadori i ShBA-ve, Jess Baily.
 
Por, edhe pse lideri i VMRO-së deklaroi se ka garanci nga komuniteti ndërkombëtar se deri më 5 qershor nuk do të ketë kushte të reja, përfshirë edhe ligjin për media, as  vlerësime nga BE-ja dhe ShBA-ja, ambasadori Bejli, njësoj si eurokomisioneri Hahn, rikujtoi edhe një herë sot se reformat në media vazhdojnë të mbeten pjesë e prioriteteve.
 
“Ne dhamë qëndrimin tonë mbrëmë dhe thamë se reformat në media janë pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës,  pjesë e prioriteteve urgjente të BE-së. Më e rëndësishmja është se si ju mediat do t’i mbuloni zgjedhjet, si do ta bëni diferencën në atë se si do t’i informoni qytetarët”- theksoi ambasadori i ShBA-ve në RM, Xhes Bejli.
 
Edhe eurodeputetët, Ivo Vajgël, Ricard Hovit dhe Eduard Kukan, përmes një komunikate përshëndesin vendimet e mbrëmshme të partive në Kuvendin republikan. 
 
“Na vjen keq për lëshimin e shansit për gjetjen e konsensusit mes partive politike, por shpresojmë se për temat që kemi biseduar ne si mediatorë do të ndihmojnë në identifikimin e problemeve kritike, që mund të shërbejnë si bazë për arritjen përfundimtare të marrëveshjes që do të garantonte seriozitet për zgjedhje”- thuhet në komunikatën e eurodeputetëve.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU