Maqedoni
Mbajtja e zgjedhjeve më 5 qershor, Musliu: Varet nga përmbushja e parakushteve; Arsovski: Datë definitive, pas trysnisë ndërkombëtare
24.02.2016 15:56
Analistët e vendit dolën me qëndrime të ndara sa i përket caktimit të 5 qershorit si datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme....

Përderisa analisti, Petar Arsovski, 5 qershorin e shikon si datë definitive për mbajtjen e zgjedhjeve, analisti, Albert Musliu, thotë se kjo do të varej vetëm nga përmbushja e parakushteve.
Sipas Musliut, vetëm pastrimi i listave zgjedhore dhe reformat në media janë garanci e vetme për mbajtjen e zgjedhjeve, e jo siç është shprehur lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, se për respektimin e kësaj date ka marrë garanci nga ndërkombëtarët dhe BDI.
“Nëse periudhën që vijon bëhet pastrimi i listave, arrihet marrëveshje për mediat dhe nëse ndahet partia prej pushtetit, atëherë garanci më të madhe se ajo nuk ka. Por, unë mendoj se ajo është pjesë e piarit dhe normalisht e asaj tendence që të mbahen më të ngjeshur edhe anëtarësia si dhe vullneti tek anëtarësia për zgjedhjet që vijojnë. Por, nëse këto ndryshime nuk bëhen, sërish konkluzionet e partnerëve ndërkombëtarë do të jenë se nuk ka parakushte”- deklaroi analisti, Albert Musliu.
Analisti, Petar Arsovski, arsyetohet se prolongimi i pesë qershorit nuk do të ndodh si pasojë e trysnisë ndërkombëtare. Ai thotë se nuk ka qenë Gruevski që ka marrë garanci se 5 qershori është datë definitive, por ai bashkë me oponentin e tij Zaevin kanë garantuar partnerët ndërkombëtarë se do të obligohen që mos të shkelet ky afat, duke u angazhuar në përmbushjen e të gjitha parakushteve.
“Deklarata e mëvonshme e Xhes Bejlit jep të drejtën që të konkludojmë se nga kjo datë vështirë se mund të ketë lëvizje. Nga dy liderët është kërkuar të bëjnë përjashtime. Është kërkuar nga Gruevski që të pranojë se zgjedhjet mund të mbahen vetëm nëse ato janë kredibile dhe nëse përmbushen të gjitha parakushtet, ndërkaq nga Zaev është kërkuar që të obligohet se nëse prolongohen zgjedhjet dhe krijohen kushte, atëherë ai në zgjedhje të atilla do të duhet të marrë pjesë”- tha analisti, Petar Arsovski.
Parlamenti votoi datën e re të shpërbërjes së tij e të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme më 5 qershor. Lideri i VMRO-DPMNE–së, Nikolla Gruveski, deklaroi se ka marrë garanci nga faktori ndërkombëtar dhe BDI, se kjo datë nuk do të shkelet, dhe se faktori ndërkombëtar nuk do të ketë më kërkesa e vlerësime të reja, përfshirë edhe ligjin për mediat.
MERAL ISMAILI
