Maqedoni

Gjykata Kushtetuese vendosi “manipuluesit e zgjedhjeve” në duart e presidentit

24.02.2016 17:11

Gjykata Kushtetuese e ka kaluar iniciativën për ndryshimet në Ligjin për amnisti, ku parashikohet që kryetari i shtetit të ketë të drejtë t’i amnistojë të dënuarit për manipulime dhe parregullsi zgjedhore...

Edhe pse një pjesë e gjykatësve në fillim të seancës kërkuan që kjo pikë të anulohet për seancën e ardhshme, kërkesa e tyre nuk është pranuar.
 
Mendimi i gjykatësve për këtë ligj ka qenë i ndarë, nga gjithsej nëntë gjykatës pesë prej tyre kanë votuar për të kaluar iniciativën për ndryshimet në Ligjin për amnisti, ndërsa katër gjykatës, përfshi këtu gjykatësit, Gëzime Starova, Sali Murati, Natasha Geber-Damjanovska dhe Ismail Dardhishta, ashpër kanë kundërshtuar një vendim të tillë, duke thënë se nuk ka asgjë jokushtetuese që mos të mund të amnistohen persona që akuzohen për krime të këtilla të rënda, por nuk kanë mundur që të ngadhënjejnë në kundërshtim me pesë gjykatësit tjerë. 
 
Propozimet për ndryshime në Ligjin për amnisti vijnë në kohën kur Prokuroria Speciale ka ngritur procedurë hetimore për tetë të dyshuar për mashtrime zgjedhore, ku mes tyre janë edhe ish ministrat, Mile Janakievski dhe Gordana Jankullovska, sekretari gjeneral, Kiril Bozhinovski, dhe kryetari i Komunës së Pustecit, Edmond Temellko. 
 
Prokuroria Speciale Publike ditë më parë kërkoi arrest për funksionarët e lartpërmendur, por Gjykata Themelore e refuzoi këtë kërkesë. 
 
Edhe  në vitin 2009 u bënë ndryshime në Ligjin për amnisti, por atëherë presidentit iu morën kompetencat për të amnistuar persona që do të dënohen për parregullsi zgjedhore.
 
ERSAN PAJAZITI