Maqedoni
Zgjedhjet parlamentare më 5 qershor, Gruevski: kemi garanci nga ShBA, BE dhe BDI
24.02.2016 17:48
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk do të mbahen më 24 prill, por më 5 qershor, ndërsa Kuvendi do të vazhdojë punimet deri më shtatë prill...

Në një seancë emergjente, pak para mesnate, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë e miratoi vendimin për ndryshim të vendimit për shpërbërje të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, parashtruar nga deputetët e BDI-së, ata të PDSh-së dhe deputetes, Liljana Popovska.
Pro vendimit votuan 83 deputetë, ndërsa opozita maqedonase nuk mori pjesë në votim me arsyetimin se nuk ka votuar as vendimin, i cili po pësonte ndryshim.
Në të njëjtën seancë Kuvendi miratoi edhe Ligjin për ndryshim të kodit zgjedhor, të propozuar nga një grup deputetësh, me të cilin parashihet ndryshimi i dispozitave që zgjedhjet të mbahen më 24 prill të vitit 2016 dhe prolongohet data për më 5 qershor të vitit 2016.
Sipas kreut të VMRO-DPMNE-së, Maqedonia ka qenë e gatshme për zgjedhje korrekte edhe më 24 prill, por VMRO-DPMNE ka marrë vendim që në vend se më 24 prill zgjedhjet të mbahen më 5 qershor, për të mos u keqkuptuar dhe keqpërdorur nga ata që nuk ia duan të mirën Maqedonisë.
"Përfaqësuesit e BE-së dhe ShBA-së na bindën për katër çështje. E para, se ky do të jetë prolongimi i vetëm dhe se nuk do të ketë kërkesë tjetër nga ata për prolongimin, të shprehur në çfarëdolloj forme; e dyta, se deri më 5 qershor nuk do të ketë kurrfarë negociatash rreth organizimit të zgjedhjeve, sepse edhe ata tani besojnë se KShZ do të ketë mjaft kohë që ta përfundojë punën e saj me pastrimin e listës zgjedhore; e treta, se nuk do të ketë vendosje të kushteve të reja për mbajtjen e zgjedhjeve më pesë qershor, duke e përfshirë edhe Ligjin për medium; dhe e katërta, nuk do të ketë vlerësime të reja nga BE dhe ShBA për atë nëse Maqedonia është e gatshme për zgjedhje, sepse me ndërrimin e datës këto gjëra janë absorbuar"- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Gruevski tha se ka marrë bindje të fuqishme edhe nga BDI-ja, se më 5 qershor do të shkojnë në zgjedhje me ose pa LSDM-në.
Ndërkaq, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, thotë se me shtyrjen e datës u konfirmua se vendi nuk është i përgatitur për zgjedhje të lira më 24 prill dhe se pastrimi i listës zgjedhore dhe reformat në media mbeten sfidat kryesore për zgjedhje korrekte dhe demokratike.
"Konfirmimi nga BE-ja dhe ShBA-ja, garantët ndërkombëtarë të Marrëveshjes së Përzhinës, se nuk janë përmbushur kushtet për zgjedhje korrekte, si dhe vendimi i anuluar për Rezolutën e Parlamentit Evropian tregojnë se sa të rëndësishme janë zgjedhjet e lira për ardhmërinë e Maqedonisë. Në Maqedoni duhet të ketë dhe do të ketë zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike. Zgjedhje me listë të pastruar zgjedhore dhe reforma për media të lira, në të cilat të gjithë qytetarët dhe partitë do të marrin pjesë. Në Maqedoni duhet të zgjidhet qeveri e re, me legjitimitet të plotë, për të zgjidhur problemet serioze dhe për të kthyer Maqedoninë në rrugën evropiane”- theksoi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Me shkeljen e Marrëveshjes së Përzhinës, refuzimin e reformave për media të lira dhe pastrimin e listës zgjedhore, VMRO-DPMNE po përpiqet ta armiqësojë Maqedoninë me miqtë ndërkombëtarë dhe ta fusë vendin në krizë dramatike, vetëm për të mbrojtur krimin e familjes, tha Zaev.
Kreu i BDI-së, nga ana tjetër, përmes një letre të hapur drejtuar ambasadorit të ShBA-ve, Xhes Bejlit, shpreh mirënjohje për kontributin e tij në tejkalimin e krizës politike në vend dhe përmbylljes së saj me zgjedhje të lira dhe demokratike më 5 qershor të këtij viti.
“Përpjekjet e juaja dhe të bashkëpunëtorëve tuaj bashkë me kontributin e dhënë në drejtim të zgjidhjes së krizës më serioze politike me të cilën u ballafaqua vendi im, dëshmojnë që Maqedonia dhe qytetarët e këtij vendi kanë miq të veçantë dhe të sinqertë në ju dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”- thuhet në letër.
Ahmeti ka premtuar se me përkushtimin do të angazhohet në zbatimin e Marrëveshjes politike të dy qershorit dhe 15 korrikut dhe realizimin e reformave thelbësore, që rrjedhin nga rekomandimet urgjente të BE-së.
SHPËTIM NUREDINI
