Maqedoni
Kriza e refugjatëve, Samit në Vjenë, ftohen 9 vende të rajonit, revoltohet Greqia
24.02.2016 18:04
Austria ka ftuar ministrat nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia...

Austria ka ftuar ministrat nga Shqipëria, Kosova, Kroacia, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia për të diskutuar krizën e refugjatëve dhe pasojat në Ballkan pas kuotave ditore të pranimit të vendosura nga Austria.
Jashtë Samitit është lënë Greqia. Ky diskutim për Greqinë, por pa Greqinë në tryezë, ka detyruar Athinën zyrtare që me një notë proteste t’i drejtohet Samitit për të deklaruar se nuk mund të merren vendime për Ballkanin, duke anashkaluar Greqinë për një çështje që prek drejtpërdrejt kufijtë grekë.
Athina e ka cilësuar mosmarrjen e ftesës si një vendimin joevropian. Dhe pikërisht situata në kufirin mes Greqisë dhe Maqedonisë ka qenë temë diskutimi në këtë samit.
“Mungon vullnet politik për të ulur fluksin e refugjatëve. Në mbledhjen e fundit me vendet Ballkanit kam fituar përshtypjen se Greqia nuk është e përgatitur për të ulur fluksin e refugjatëve, por përkundrazi, ajo dëshiron t’i sjellë ata sa më parë në Evropë. Ne jemi në gjendje të vështirë dhe nuk mundemi më ta mbështesim Greqinë në këtë drejtim”- deklaroi ministri i Punëve të Jashtme-Austri, Sebastijan Kurc.
“Gjatë 24 orëve të fundit, 700 refugjatë presin në Serbi për të hyrë në Maqedoni. Një pjesë e tyre më herët janë kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian. Kjo do të thotë se ne sot kemi lëvizshmëri të kundërt të refugjatëve dhe kjo është problem serioz. 600 refugjatë në vend janë në tren dhe akoma nuk kanë udhëtuar, ndërsa nga ana tjetër kemi rreth 5 mijë refugjatë të tjerë që presin në Greqi për të hyrë te ne”- tha ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Popovski.
Athina, ndërkohë, përballet me fluks të shtuar refugjatësh, të cilët vijnë prej ishujve grekë në kufi me Turqinë, por edhe nga kufiri verior me Maqedoninë. Autoritetet greke kanë njoftuar se, në pamundësi t’i përcjellin emigrantët drejt brendësisë së kufirit, mijëra prej tyre do të duhet të qëndrojnë në qendrat e akomodimit në zona të ndryshme të Greqisë.
REXHEP QAMILI
