Futboll
Siti kërkon të thyejë mallkimin
24.02.2016 18:30
Mançester Siti kërkon të kualifikohet për herë të parë në çerekfinalet e Ligës së Kampionëve...

Për të arritur këtë takim me historinë, skuadra e Manuel Pelegrinit duhet të kalojë Dinamon e Kievit. Këta të fundit duken një rival i lehtë në letër, por jo në fushën e lojës.
Anglezët vijnë në këtë sfidë pas 3 humbjeve radhazi dhe duket se zyrtarizimi e Pep Guardiolës si trajner i ardhshëm nuk ka ndikuar pozitivisht në skuadrën e Sitit. Kalendari i ngjeshur dhe dëmtimet e shumta i kanë krijuar shumë shqetësime Pelegrinit, i cili këtë herë ka shumë besim dhe mendon se skuadra e tij do të arrijë fitoren.
Dy humbjet në kampionat e kanë larguar disi nga lufta për titullin skuadrën e Sitit, ndërsa eliminimi në Kupën e Anglisë duket se ishte i qëllimshëm për të qenë në formë ditën e sotme. Në fushën e lojës, Pelegrini do të zbresë lojtarët më të mirë për të mos zhgënjyer sërish.
Pas shumë viteve ku fati i rezervonte Sitit një kundërshtar të fortë, në këtë raund të Ligës së Kampionëve Dinamo e Kievit duket e kalueshme dhe Siti ka shansin e artë për të shkruar historinë.
Tekniku i Mançester Sitit shpreson që humbja që skuadra e tij pësoi nga Çelsi të mos ketë asnjë ndikim dhe futbollistët të jenë të përqendruar maksimalisht për të arritur kualifikimin. Ai thotë se skuadra duhet të bëjë kujdes dhe të luajë me kujdes.
Ndërsa ne “Filips Stadion”, Psv Eindhove përballet me Atletiko Madridin.
