Futboll

FIFA, zgjedhje dhe reforma: Ja çfarë ndryshon

25.02.2016 13:54

FIFA është gati të nisë një kapitull të ri, pas skandaleve të korrupsionit nën drejtimin e Sepp Blatter...

Kongresi i Jashtëzakonshëm do të zgjedhë të premten presidentin e ri të konfederatës botërore të futbollit. Dy kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e institucionit janë Gianni Infantino, krahu i djathtë i Michel Platini te UEFA dhe Princi i Jordanisë, sheiku Al-Khalifa.
 
Por, përveç zgjedhjes së presidentit të ri, Kongresi do të aprovojë edhe një sërë reformash, të cilat kanë si synim të pastrojnë imazhin e FIFA-s, të vënë në diskutim pas skandaleve të muajve të fundit. Miratimi i rregullave të reja që do të shërbejnë për ta pastruar institucionin dhe ta bëjnë më transparent ka nevojë për të paktën 3/4 e votave të 207 federatave pjesëmarrëse, ndërsa më pas statuti i ri do të hyjë në fuqi prej 26 Prillit.
 
Reformat parashikojnë shkrirjen e Komitetit Ekzekutiv të përbërë nga 24 anëtarë, për ti lënë vendin një Këshilli me 36 anëtarë dhe një Sekretar të Përgjithshëm. Ai do të përzgjidhet nga federatat e ndryshme dhe do të ketë përgjegjësinë për punën strategjike të FIFA-s në rang global. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm do të kujdeset për çështjet operative dhe komerciale. Në krye të Këshillit do të jetë presidenti, që do të ketë pushtet ekzekutiv, por më tepër do të shërbejë si një ambasador i futbollit botëror. Transparenca do të jetë totale, pasi rrogat e presidentit dhe drejtuesve të tjerë do të bëhen publike.
 
Përpara se të bëhen anëtarë të Këshillit kandidatët do të kontrollohen nga një Komision i Pajtueshmërisë dhe Kontrollit, ndërsa të gjitha vendimet do të aprovohen nga një Komitet i pavarur. Statuti i ri i FIFA-s do të kufizojë edhe periudhën e një presidenti në krye të futbollit botëror. Blatter qëndroi në pushtet për 17 vjet, ndërsa paraardhësi i tij, Havelange për plot 24 vjet. Kjo nuk do të jetë më e mundur, pasi drejtuesi i ri nuk do të mund të qëndrojë më tepër se tre mandate. Kufizimet do të aplikohen edhe për të gjithë kandidatët e Këshillit, Komisionit të Pajtueshmërisë dhe Kontrollit dhe organeve gjykuese të FIFA-s.
 
Sipas rregullave të reja, në Këshillin e FIFA-s duhet të jenë edhe 6 femra, nga një për secilën konfederatë rajonale. Për më tepër do të krijohet edhe një Komitet i aktorëve të futbollit, që do të përfaqësojë lojtarët, klubet dhe ligat, përfaqësimi i të cilave deri më tani ka qenë i kufizuar.