Botë
Rrëmujë e madhe në parlamentin shqiptar
25.02.2016 15:43
Parlamenti i Shqipërisë është përfshirë sot nga tensione të mëdha...

Pak momente pasi deputeti socialist, Armando Prenga, u shfaq në kuvend për të votuar dekretet e presidentit për ministrat e rinj, opozita bllokoi foltoren dhe akuzoi Ramën se e ka mbushur parlamentin me deputetë të inkriminuar. Më pas, deputeti, Gent Strazimiri, qëlloi me vezë në drejtim të kryeministrit.
Pak pasi opozita braktisi seancën, ish-kryetarja e Kuvendit në kohën e PD-së, Jozefina Topalli, tha se fajin nuk e ka asnjë nga deputetët kriminelë, por Rama që i ka futur në parlament. Ndërsa socialisti, Taulant Balla, tha se opozita e bën gjithë këtë rrëmujë për të mos votuar reformën për drejtësi.
Armando Prenga, “molla e sherrit” për këto tensione, tha se u paraqit në seancë vetëm për të votuar ministrat e rinj.
Deputeti, Armando Prenga, po hetohet nga prokuroria për plagosjen e 7 personave në tetor të vitit të kaluar. Lirimi i tij nga gjykata ka acaruar opozitën, e cila thotë se parlamenti është mbushur me kriminelë.
LULJETA NDOKA
