Botë

ShBA-të dhe Rusia shkëmbejnë informacione për armëpushimin në Siri

25.02.2016 16:28

Kremlini ka thënë se Moska dhe Uashingtoni kanë shkëmbyer informacione për armëpushimin në Siri, i cili pritet të nisë më 27 shkurt...

Por, Ministria e Jashtme e Rusisë ka akuzuar disa zyrtarë në Uashington se bëjnë përpjekje të sabotojnë marrëveshjen për armëpushim, duke folur për një “Plan B”, nëse Moska dhe Damasku nuk marrin hapa seriozë në drejtim të negocimit të transicionit politik në Siri.
 
"Është një ndjenjë në opinionin publik që Rusia është duke u përgatitur të ndalojë operacionin ajror, operacionin anti-terrorist kundër ISIS-it, “Al-Nusras” dhe organizatave të tjera terroriste. Mendoj se e gjithë kjo ka për qëllim që të akuzojnë Rusinë, në formën se ajo ka shkelur një marrëveshje të armëpushimit, pasi që sulmet ajrore vazhdojnë. Ne flasim për marrëveshje mes Damaskut dhe grupeve opozitare, të cilat duhet të jenë në kontakt, të cilat për kohën e mbetur të përcaktohen në qendrat ruse apo amerikane, që të deklarojnë pjesëmarrjen e tyre në procesin e armëpushimit”- deklaroi ministri i Jashtëm i Rusisë, Maria Zakharova. 
 
Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka folur për “Planin B” në një dëshmi përpara Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, më 23 shkurt. I dërguari i Kombeve të Bashkuara për Sirinë, Staffan de Mistura, ka thënë se do të shpallë të premten datën për rrethin e ri të bisedimeve midis palëve ndërluftuese në Siri.
 
As grupi militant “Shteti Islamik”, as “Fronti Al-Nusra” nuk janë pjesë e marrëveshjes për armëpushim dhe nuk do të jenë të përfshirë në bisedimet e ardhshme për paqe.
 
LEUNORA KALIQI